Albert Zaja, një prej autorëve të shpallur në kërkim për vrasjen e Shkëlzen Kastratit është ndaluar nga forcat RENEA në fshatin Larushk të Krujës.
Autorët e tjerë të shpallur në kërkim për ekzekutimin e Kastratit janë: Elmir Tufa, 29 vjeç, banues Fushë Krujë; Elson Xhecuka, 27 vjeç, banues në Kamëz dhe Silvio alias Roland Cara 39 vjeç, banues në Tiranë.
Kastrati u ekzekutua më 1 shkurt në rrethrrotullimin në hyrje të Fierit, teksa po vinte nga ky drejtim me automjetin e tij Mercedez Benz, ndërsa autorët po e ndiqnin me një automjet tip Range Rover, nga edhe ku e qëlluan. Viktima humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me një tjetër automjet në këtë rrugë, në të cilën ndodheshin babë e bijë, duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Viktima humbi jetën menjëherë pas atentatit.
Autorët u larguan nga vendi i ngjarjes dhe disa minuta më pas, në mbikalimin e fshatit Baltëz, në By-passin e Fierit, policia gjeti të djegur mjetin tip Range Rover. Grupi hetimor, brenda këtij mjeti, gjeti edhe armën tip automatik, me të cilën dyshohet se u krye ekzekutimi.
Ekzekutimi i Shkëlzen Kastratit, dyshohet së është vazhdimi i vrasjes së ndodhur në vitin 2016 në Fier, ku shënjestër ishte Klement Kastrati, vëllai i viktimës. Shënjestra bashkë me një tjetër person mbetën të plagosur, ndërsa u vra një shtetas nga Patosi.
Top Channel