Aslan Karatsev mundi në finalen e Dubait tenistin nga Afrika e Jugut Lloyd Harris, duke siguruar titullin e parë ATP në karrierë. Një triumf i jashtëzakonshëm për tenistin rus, që deri 15 muaj më parë ishte pothuajse krejtësisht i panjohur dhe renditej në vendin e 289, në klasifikimin e përgjithshëm botëror.

27-vjecari nga Vladikavkazi e mbylli vitin e kaluar në pozicionin e 112, me 35 fitore e 11 humbje, ndërsa sivjet Aslan Karatsev shpërtheu në mënyrë fenomenale, duke kulmuar me suksesin e parë në karrierë, për më tepër në Emiratet e Bashkuara Arabe, në një ndër turnetë më të vlerësuar 500 të sezonit. Karatsev ishte njëri nga katër tenistët që përfituan nga një ftesë në këtë edicion, megjithatë sportisti rus përmbysi cdo lloj parashikimi të mundshëm, duke shkuar deri në fund, për t’u bërë në këtë mënyrë i treti tenist në 29 vjet histori, që ftohet me një “ëild card” dhe fiton turneun e Dubait. Duke llogaritur edhe sfidat kualifikuese të turneut të parë të madh të vitit, Australian Open, që këtë herë u zhvilluan në Katar, për shkak të pandemisë së koronavirusit, Aslan Karatsev është një ndër tenistët që kanë zhvilluar më shumë ndeshje në këto tre muaj e parë të vitit. Tenisti nga Vladikavkazi përfitoi edhe nga lodhja e shtatlartit jugafrikan, për të mbyllur gjithcka në vetëm dy sete, sidoqoftë triumfi në finalen e Dubait përfaqëson fitoren e 15 në 17 takimet e luajtura gjatë vitit 2021.

Në Melbourne Park tenisti rus shkoi deri në fazën gjysmëfinale, ku ia doli mbanë për ta thyer dy herë në servis numrin 1 të botës, si dhe për të grumbulluar plot 9 game ndaj kampionit në fuqi dhe tenistit që triumfoi në fund në Rod Laver Arena, 33-vjecarit nga Serbia Novak Djokovic. Kurioz është fakti se kishte që nga turneu zviceran i Gstaad-it në vitin 2017, pra që nga dueli Fabio Fognini – Yannick Hanfmann, që në një finale në ATP Tour nuk vihej përballë një tenist i ardhur me ftesë ndaj një tenisti të mbijetuar nga sfidat kualifikuese. Dy tenistët zbvritën në fushën kryesore të Qendrës Tenistike të Klubit të Aviacionit, për finalen e edicionit të 29 në Dubai, me plot 39 pozicione diferencë, në favor të tenistit rus. Karatsev renditej i 42 në rruzull, ndërsa Lloyd George Harris mbante vendin e 81 në planet në klasifikimin e përgjithshëm, gjithsesi 27-vjecari rus e theu në servis kundërshtarin e tij që në game-n e tretë të takimit, për t’u shkëputur shpejt në shifrat 3-0. Kjo ishte përballja e parë ndërmjet këtyre dy tenistëve dhe rezultati i setit të parë mund të ishte akoma më i thellë, por 24-vjecari nga Cape Toën-i i anuloi plot tre mundësi të tjera, rivalit të tij, në game-n e gjashtë të ndeshjes. Përpara finales, duke marrë në konsideratë edhe sfidat kualifikuese Lloyd Harris kishte zhvilluar në Dubai plot 7 ndeshje në harkun e vetëm 7 ditëve. Në mënyrë të kuptueshme në këtë finale natyrisht influencoi ndjeshëm edhe lodhja e shtatlartit nga Afrika e Jugut, që në gjysmëfinale vuajti ndjeshëm, për t’i përmbysur numrit 12 të botës Denis Shapovalov disavantazhin e një seti dhe të një game me break, ndërsa pak ditë më parë ai regjistroi edhe suksesin më të madh në karrierë, duke eliminuar vetë numrin 4 të botës, austriakun Dominic Thiem.

Në këtë mënyrë në setin pasardhës Aslan Karatsev i rrëmbeu shërbimet edhe dy herë të tjera tenistit nga Afrika e Jugut, për të mbyllur përfundimisht llogaritë me rezultatin 6-3, 6-2 në vetëm 77’ lojë. Me këtë rezultat Karatsev pritet t’i afrohet ndjeshëm 25-es së parë të botës, ndërkohë me 300 pikët e grumbulluara deri në finale Lloyd Harris do të katapultohet për herë të parë në karrierë mes 50 më të mirëve në rruzull. Kështu Aslan Karatsev u bë tenisti i tretë rus që fiton një turne në këtë pjesë të parë të vitit, pas dyshes Daniil Medvedev – Andrey Rublev që ka triumfuar respektivisht në Marsejë dhe Roterdam dhe që të tre së bashku ishin pjesë e kombëtares së Rusisë, që siguroi titullin në rang përfaqësuesesh në muajin janar në Australi, në ATP Cup. Karatsev u bë sportisti i parë rus që triumfon në Dubai, por gjithashtu edhe vetëm i treti tenist në histori që ia del të fitojë këtë kompeticion me vlerën e 500 pikëve në Emiratet e Bashkuara Arabe me një wild card, pas jugafrikanit Wayne Ferreira në 1995 dhe austriakut Thomas Muster në vitin 1997.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA