E pabesueshme në Torino/ Benevento mund Juven, fitojnë Lazio e Atalanta

21/03/2021 20:58

Benevento bën të pabesueshmen në Torino.

Në Allianz Stadium skuadra e Filippo Inzaghit mposhti kampionët e Italisë, juventusin me rezultatin 1-0 me bardhezinjtë që e shohin veten gjithnjë e më larg titullit kampion. Edhe pse kishtE hedhur të gjithë arsenalin e rëndë në fushë, Pirlo nuk mundi dot të gjejë zgjidhjen e duhur që skuadra e tij të fitoren, ndërkohë që Benevento e bëri ndeshjen e saj teksa shënoi edhe golin e fitores me Gaich duke marrë 3 pikë të çmuara.

Lazio mori një fitore të rëndësishme në Friuli ku në Dacia Arena mundi Udinesen me rezultatin 1-0. Fatin e sfidës për Lazion e vendosi Marusic që shënoi golin e fitores për bardhekaltrit. Për Udinesen pati edhe një shtyllë të goditur nga De Paul, ndërsa në fund Reina shpëtoi portën e tij duke mbrojtur fitoren e Lazios.

Atalanta e harroi shpejt eliminimin nga liga e Kampioneve dhe këtë e bëri duke fituar ndaj Veronës 2-0 në fushën e kësaj të fundit. Malinovsky me 11 metërsh ishte ai që zhbllokoi rezultatin për skuadrën bergamaske, ndërkohë që mendoi të mbyllë llogaritë e sfidës Zapata që shfrytëzoi mjaft mirë një asist të Malinovsky për të shënuar golin e dytë për Atalantën që është ende në lojë për një vend në Champions.

Top Channel