Vaksinohet Boris Johnson/ Britania vaksinon 660 mijë persona në një ditë

20/03/2021 21:32

Kryeministri britanik Boris Johnson ka bërë vaksinën e Oksfordit dhe AstraZenecas, pikërisht në të njëjtin spital të Londrës ku ai u shtrua në Prill të vitit të kaluar i prekur rëndë nga koronavirusi.

Britania  ndërkohë ka shënuar një rekord ditën e premte duke bërë numrin me të lartë të vaksinimeve  me shifrën e 660 mijë vaksinave të bëra brenda një ditë. Nga Londra njofton korrespondent ynë Arben Manaj.

Ai është 56 vjeç dhe në bazë të kriterit të moshës mbi të cilën bëhen vaksinat në Britani, thjesht atij dje i ka ardhur radha për ta bërë vaksinën, edhe pse mund ta bënte më herët për të inkurajuar britanikët që hezitojnë ta bëjnë vaksinën sidomos në radhët e minoriteteve dhe popullsisë me ngjyrë.

Menjëherë pas vulosjes përfundimtare nga rregullatori evropian dhe më herët ai britanik për sigurinë dhe efikasitetin e kësaj vaksine, kryeministri britanik i jep mbështetjen më të madhe publike kësaj vaksine me të cilën janë imunizuar mbi gjysma e britanikeve që janë vaksinuar deri më tani. Johnson e bëri vaksinën pikërisht në spitalin St Thomas  të Londrës ku një vit më parë ai pati takimin me vdekjen, pas infektimit me covid si i pari kryeministër në botë që infektohej në atë kohë dhe tejet i kritikuar për mënyrën e papërgjegjshme të qasjes ndaj virusit në fillim të pandemisë e cila i ka kushtuar shumë Britanisë.

Pas daljes nga spitali ai u tha britanikeve dhe jo vetëm atyre, se “ të gjithë kur të merrni njoftimin për të bërë vaksinën, bëjeni ju lutem është gjëja më e mirë që mund t’i bëni vetes, familjes tuaj dhe gjithë të tjerëve.”

Britani ka vaksinuar momentalisht mbi 27 milionë banorë ose mbi gjysmën e popullisë së saj që duhet vaksinuar, ndërkohë që të premten ka shënuar një rekord, duke bërë numrin më të lartë të vaksinimeve me shifrën e 660 mijë vaksinave të bëra brenda një dite.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA