Talebanët: Trupat amerikane duhet të tërhiqen brenda 1 majit

20/03/2021 05:30

Talibanët paralajmëruan të premten Uashingtonin të mos shkelë afatin e 1 majit për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani, përndryshe do të ballafaqohej me reagimin e këtij rrjeti. Ky paralajmërim nënkupton se mund të ketë shtim të sulmeve ekstremiste.

Talebanët e nxorën paralajmërimin e tyre në një konferencë për shtyp në Moskë, një ditë pas takimit me negociatorë të qeverisë afgane dhe vëzhguesve ndërkombëtare në përpjekje për të ringjallur procesin e paqes për t’i dhënë fund konfliktit në Afganistan.

Administrata e Presidentit Biden thotë se po analizon marrëveshjen që nënshkroi administrata e mëparshme me talebanët. Zoti Biden tha në një intervistë me rrjetin ABC të mërkurën se afati i 1 majit “mund të bëhet realitet, por do të jetë e vështirë,” duke shtuar se nëe ky afat shtyhet, nuk do të zgjatet shumë.

“Ata duhet të largohen,” tha Suhail Shaheen, anëtar i delegacionit të talebanëve në komentet për shtypin, duke shtuar se nëse amerrikanët nuk largohen më 1 maj, kjo do të përbënte shkelje të marrëveshjes. Kjo shkelje do të pasohet nga një reagim, vazhdoi ai. Zoti Shaheen nuk ofroi hollësi se çfarë forme mund të merrte ky reagim, por talebanët nuk kanë sulmuar forca amerikane apo të NATO-s, në përputhje me marrëveshjen e shkurtit 2020, megjithëse ka plot sulme apo atentate për të cilat nuk ka marrë përgjegjësi njeri.

Në konferencën e Moskës morën pjesë i dërguari amerikan për paqe në Afganistan, Zalmay Khalilzad, kreu i Këshillit Afgan për Ripajtim Kombëtar, Abdullah Abdullah, dhe bashkëthemeluesi i talebanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar, i cili kryesoi një delegacion me 10 anëtarë. Në konferencë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Indisë, Iranit dhe Kinës.

Në një deklaratë të nxjerrë pas bisedimeve, Rusia, SHBA, Kina dhe Pakistani u bënë thirrje palëve ndërluftuese të ulin nivelin e konfliktit si dhe u bënë thirrje talebanëve të mos fillojnë një ofensivë në pranverë. Deklarata e përbashkët thekson se katër vendet nuk mbështesin rikthimin e regjimit islamik në Afganistan, të ngjashëm me sundimin e mëparshëm të talebanëve para ndërhyrjes amerikane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA