Shtetet e Bashkuara kanë arritur objektivin e vendosur nga Presidenti Biden për të injektuar 100 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit, pothuajse një muaj përpara afatit të vendosur prej tij për 100 ditët e para në detyrë.
Arritja u bë e ditur ndërsa presidenti po përgatitej të vendoste një objektiv më të lartë për vaksinimin në mbarë vendin. Shtetet e Bashkuara po bëjnë tashmë rreth 2.5 milionë vaksinime në ditë. Presidenti Biden, i cili premtoi ta përcaktojë javën e ardhshme objektivin e ri për vaksinimet, sugjeroi mundësinë e vendosjes së shifrës 200 milionë injeksione për 100 ditët e para në detyrë.
Ai u tha gazetarëve të premten se “mund të jemi në gjendje ta dyfishojmë”. Komentet e tij vijnë ndërsa Shtetet e Bashkuara pritet të sigurojnë në vetëm 10 javë vaksina të mjaftueshme nga kompanitë Pfizer, Moderna dhe Johnson&Johnson, për të vaksinuar të gjithë popullsinë në moshë madhore. Ritmi pritet të rritet në mënyrë dramatike më vonë gjatë këtij muaji me marrjen e një sasie vaksinash, duke iu afruar kështu edhe më shumë arritjes së objektivit prej 200 milionë injeksionesh.
Shtetet e Bashkuara raportuan 59 822 raste të reja të koronavirusit dhe 1 611 vdekje në 24 orët e fundit, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, duke u renditur pas Brazilit, i cili raportoi 86 982 raste dhe 2 724 vdekje. Më shumë se 75.4 milionë njerëz, ose 22.7% e popullsisë amerikane, kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës së koronavirusit, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Rreth 40.9 milionë njerëz, ose 12.3% e popullsisë, kanë përfunduar vaksinimin e tyre.
Mesatarja shtatë-ditore për rastet e reja ditore në Shtetet e Bashkuara u ul gjatë dy javëve të fundit nga 62 263 në 4 mars, në 54 453 të enjten, sipas Universitetit Johns Hopkins. Mesatarja shtatë-ditore për vdekjet e reja ditore në Shtetet e Bashkuara u ul gjatë dy javëve të fundit nga 1 784 në 4 mars, në 1 238 të enjten, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.
Top Channel