Me fat Manchester United dhe Arsenal në shortin e hedhur në Nyon të Zvicrës për çerekfinalet e Europa League. Djajtë e Kuq dhe topçinjtë që shikohen edhe si dy skuadrat favorite për të kapur finale e madhe të Gdanskut, do të sfidojnë dy nga skuadrat surprizë të këtij edicioni.
Manchesteri i Solskjaer i cili eliminoi Milanin në 1/8-at do të ketë përballë spanjollët e Granadas që në pjesëmarrjen e tyre të parë në kompeticionet europiane kanë arritur deri në çerekfinale.
Ndeshja e parë do të luhet në Estadio Los Carmenes ndërsa sfida e kthimit në Old Trafford. Arsenali i Mikel Artetas ndërkohë do të sfidojë çekët e Slavias së Pragës që në 1/8 eliminuan pikërisht një ekip britanik, skocezët e Glasgow Rangers falë edhe një goli të ish-sulmuesit të Skënderbeut Peter Olayinka.
Ndeshja e parë do të luhen në Fly Emirates ndërsa ajo e kthimit në kryeqytetin çek Pragë. Dueli më i rivalizuar i këtij raundi do të jetë ai mes Ajaxit dhe Romës me holandezët që do ta luajnë ndeshjen e parë në Amsterdam, ndërkohë që Villareal do të sfidojë Dinamon e Zagrebit me ndeshjen e parë që do të luhet në Maksimir.
Në Nyon u përcaktuan edhe çiftet gjysmëfinaliste. Kështu fituesja e duelit Granada-Manchester United do të ketë përballë skuadrën që do të kualifikohet nga çifti Ajax-Roma ndërkohë që fituesja e Arsenal-Slavia Pragë do të përballet me të kualifikuarën e duelit Dinamo Zagreb-Villareal. Ndeshjet e para të raundit çerekfinal do të luhen në datën 8 prill ndërsa ato të kthimit një javë më pas, ndërkohë që finalja e madhe e sezonit 2020-2021 të Europa League do të zhvillohet më 26 maj në stadiumin Miejski në Gdansk të Polonisë.
Top Channel