Me lëndë narkotike, jashtë orarit policor, arrestohet 18-vjeçari në Dibër, gjobitet pronari i lokalit

20/03/2021 12:54

Një i ri është arrestuar mbrëmjen e djeshme, në Dibër, pasi u kap me kokainë dhe jashtë orarit policor.

Ndërkohë, policia njofton se ka ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë shtetasi F. Z.,  pronari i lokalit i cili ushtronte aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ për parandalimin e përhapjes së Covid 19.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër , në bashkëpunim me forcën e posaçme ‘Shqiponjat’ dhe Seksionin për Hetimin e  Narkotikëve në DVP Dibër, në zbatim të detyrave për kontrollin e territorit me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri dhe lëndë narkotike, si dhe për monitorimin e zbatimit të masave anti Covid, gjatë kontrollit të territorit rreth orës 21.40 të mbrëmjes së djeshme kanë konstatuar një lokal të hapur ku brenda ndodheshin disa të rinj.

Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e policisë i kanë gjetur në trup shtetasit XH.K, 18 vjeç, një dozë me lëndë narkotike të dyshuar kokainë.

Shtetasi XH.K., së bashku me tre shtetas të tjerë që ndodheshin në tavolinë me të janë shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër ku në përfundim të veprimeve  është  bërë arrestimi në flagrancë i shetasit XH.K.,  për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Si dhe janë proceduar penalisht për veprën penale “Moskallzim krimi”, shtetasit S.E, K.A dhe R.M.

Gjithashtu nga forca e posaçme ‘Shqiponjat’, i është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë  pronarit të lokalit shtetasit  F.Z., pasi ushtronte aktivitetin në fashën orare të ndaluar , në kundërshtim me  Aktin Normativ.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA