Gent Progni, fëmijërinë e ka kaluar në ngujim.
Për tre vite radhazi ai kurrë nuk doli nga shtëpia. Kur ishte 10 vjeç, Gentit i pëlqente të çmontonte çdo lodër, në këtë mënyrë ai arrinte të kuptonte se si ishte ndërtuar. Pas shumë kërkesash familja i siguroi atë që donte më shumë kompjuterin, por që kurioziteti i Gentit e shkatërroi brenda pak ditëve.
“ Kur kam qenë në moshën 10 vjeçare për shkak të shkuarës së familjes kam qëndruar në shtëpi 3 vjet pa dalë. Mbaj mend kur erdhi kompjuteri i parë ma solli dikush me emrin Gjergji, ai ka qenë kontakti i parë më botën e kompjutërit dhe të internetit. Kompjuterit e parë e prisha pasi e hapa dhe me ra një vide e kështu u dogj. Nuk u ndëshkova nga babai pasi nuk i tregova që e hapa unë, por u ndëshkua Gjergji”, Gent Progni.
Pasioni i Gentit për të mësuar çdo gjë rreth teknologjisë, u vu re edhe nga shitësi i kompjuterëve që vendosi t’i mësonte fëmijës së ngujuar sekretet e botës virtuale.
“Edhe kompjuterin e dytë e prisha pasi doja t’i shtoja memorien”, tha ai.
Kur ishte në shkollë të mesme Genti thotë që aftësinë e tij kompjuterike nuk i ka përdor gjithnjë për qëllimi të mira, ndryshe nga sot. Familja e detyroi atë të nistë studimet universitare për elektrikë, shkollë të cilën nuk e përfundoi kurrë. Por për të qetësuar babanë e tij Genti asaj kohe falsifikoi diplomën e këtij universitet.
“Kur shkova në shkollën elektrike në anglisht mora 10, në informatike 5. E lashë shkollë, familja nuk dinte gjë. Fillova punë si It në një kompani sigurimesh për 3 vjet. Më pas i çova babait diplomën që bëra me photoshop”, tha ai.
31-vjeçari nga Tirana,pa arsim të lartë sot jeton i lirë ëndrrën e tij. Së shpejti ai do të hapë një zyrë ku do të punësojë 25 të rinj.
“Më këtë profesion unë mbaj familje. Kam hapur zyrën time dhe bëjmë gjithçka me të. Krijoj faqe webi, i mirëmbaj atë dhe çdo gjë tjetër”, tha Progni.
Top Channel