E etur për të mirëpritur turistë edhe nga Ballkani, pas Serbisë, Greqia i ka drejtuar sytë edhe nga Rumania, vend që dërgon më shumë se 1 milion turistë drejt plazheve greke çdo vit. Në një takim me gazetarët në Bukuresht ministri grek i Turizmit ka deklaruar se dy vendet duan të bien dakord për një marrëveshje dypalëshe të udhëtimit duke përdorur çertifikatat e tyre të vaksinimit.
Kështu Rumania, mund të dërgojë turistë në Greqi edhe për periudhën e Pashkëve, pa filluar ende sezoni turistik, si dhe të fillojë funksionin e saj çertifikata dixhitale jeshile që po diskuton BE. Harry Theoharis, ministri grek i Turizmit tha: Greqia ka deklaruar fillimin e sezonit turistik që nga 14 maji por unë mund t’ju them se për turistët e BE dhe padyshim për ata rumunë, diku rreth mesit të prillit ne do të jemi të hapur.
Përpjekjet e ministrit grek bëhen në një moment kur autoritetet kanë njoftuar mbrëmjen e së premtes lehtësimin e disa masave si reduktimin e orës policore, hapjen e parqeve publike, mjediseve arkeologjike dhe floktoreve. Gjithashtu është bërë me dije se në fund të marsit Greqia do të mundësojë një test falas në javë për çdo qytetar të cilin mund ta marrë në farmaci duke treguar vetëm numrin e amzës dhe synimi është që brenda muajit prill të zhvillohen 10.000.000 teste në javë, ndërkohë vazhdon normalisht procesi i vaksinimit.
Marios Themistocleous, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë tha: Ndërsa kemi pasur një përqindje të vogël anulimesh dy ditët e para, që për të qenë të sinqertë erdhën nga zërat rreth vaksinës Astra Zeneca, qytetarët tani i besuan Agjencisë Evropiane të Barnave si dhe Komisionit Kombëtar të Vaksinimit.
Autoritetet shëndetsore ende nuk duan të lehtësojnë plotësisht masat pasi përsëri është regjistruar numër rekord të intubuarish 649, mbi 500 persona janë shtruar në spitale gjatë së premtes, 64 pacientë kanë humbur jetën nga koronavirusi në 24 orët e fundit dhe janë regjistruar 2.785 raste të reja, duke e çuar numrin e të prekurve nga fillimi i pandemisë në mbi 233.000 vetë.
Top Channel