Duke synuar të ndërtojnë një moment të ri për marrëdhënie më të mira, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi një takim virtual me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.
Takimi u zhvillua përpara samitit të liderëve të Bashkimit Evropian (BE) javën e ardhshme, ku pritet të diskutohen edhe marrëdhëniet Turqi-BE. Bëhet e ditur se takimi ka zgjatur 45 minuta, ndërsa në takim ishin të pranishëm edhe ministri i jashtëm, Mevlüt Çavuşoğlu, kreu i komunikimeve të presidencës, Fahrettin Altun dhe zëdhënësi i presidencës, Ibrahim Kalın.
“Samiti i BE-së duhet të hapë rrugë për veprime konkrete”
Në një deklaratë pas takimit, Drejtoria e Komunikimit e Turqisë tha se liderët diskutuan forcimin e marrëdhënieve Turqi-BE, çështjet rajonale, si dhe hapat e ndërsjellë për të luftuar pandeminë e koronavirusit. Presidenti Erdoğan u tha krerëve të BE se ai pret që samiti i javës së ardhshme i BE-së të japë rezultate në marrëdhëniet Turqi-BE duke hapur rrugën për veprim konkret, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, Erdoğan u tha krerëve të BE-së se raporti mbi marrëdhëniet Turqi-BE që do të paraqitet në samit duhet të pasqyrojë pikëpamje objektive, konstruktive mbi të ardhmen e marrëdhënieve Turqi-BE. Duke treguar rëndësinë e rifillimit të dialogut të nivelit të lartë për të forcuar bashkëpunimin, Erdoğan tha se azhurnimi i marrëveshjes së migrantëve të vitit 2016 midis Turqisë dhe BE-së mund të formojë bazën për një agjendë pozitive.
Ai gjithashtu nënvizoi barrën në rritje dhe presionin mbi Turqinë nga azilkërkuesit dhe migracionin e parregullt, thuhet në deklaratë. Duke propozuar përsëri një konferencë mbi Mesdheun Lindor, ai tha se BE nuk duhet të lejojë Athinën dhe grekët qipriotë të abuzojnë me samitin e BE-së me pretekstin e “solidaritetit të unionit”. Opsionet reale për çështjen e Qipros duhet të diskutohen në vend të modeleve të provuara se janë joefektive për të dy palët në ishull, citohet të ketë thënë Erdoğan, duke iu referuar procedimit në bazë të dy shteteve sovrane. Ai shtoi se Turqia ruan dhe mbështet stabilitetin dhe bashkëpunimin në Mesdheun Lindor dhe Egje përkundër provokimeve dhe agresionit të Athinës dhe grekëve qipriotë.
“Agjendë pozitive Turqi-BE”
Nga ana e BE-së, von der Leyen dhe Michel thanë në një deklaratë të përbashkët se diskutuan “situatën pasuese nga Këshilli Evropian i mbajtur në dhjetor, situatën në Mesdheun Lindor, përfshirë bisedimet e ardhshme të zgjidhjes së Qipros dhe gjendjen e marrëdhënieve BE- Turqi”.
“Pala e BE-së nënvizoi rëndësinë e deeskalimit të qëndrueshëm dhe të forcimit të mëtejshëm të ndërtimit të besimit për të lejuar një agjendë më pozitive BE-Turqi”, thuhet në deklaratë.
Liderët diskutuan gjithashtu situatën e rreth 4 milionë refugjatëve sirianë në Turqi, një çështje e përfshirë në marrëveshjen e vitit 2016 midis Turqisë dhe BE-së, si dhe çështje rajonale siç janë Libia dhe Siria. Michel dhe von der Leyen diskutuan gjithashtu një vizitë të mundshme në Ankara pas samitit të BE-së që është caktuar të mbahet javën tjetër./AA
Top Channel