Rindërtimi i shtëpive dhe pallateve të dëmtuara nga tërmeti vijon në të gjitha kantieret e reja të hapura në Tiranë. Kryebashkiaku Erion Veliaj, së bashku me deputeten e PS, Mimi Kodheli, vizitoi familjen e Shyqyri Xhellimasit në Farkë, e cila u gëzua me një shtëpi të re, më të madhe se ajo që iu shkatërrua në 26 Nëntor.
Duke u shprehur krenar për punën kolosale që po bëhet, jo vetëm në këtë zonë, por në të gjithë Tiranën, me procesin e rindërtimit, Veliaj tha se është tashmë e qartë se cila do jetë rruga që shqiptarët do ndjekin edhe pas 25 Prillit. “Jam shumë i kënaqur se si ka ecur puna këtu në Farkë dhe në të gjithë Tiranën. Tani që kanë filluar edhe pallatet tek “5 Maji”, në Kombinat, shkolla “Sami Frashëri” dhe plot 40 kantiere të tjera shkollash, besoj se jemi shumë të qartë për datën 25 Prill dhe do vijojmë punën,” tha kreu i Bashkisë.
Ata që sot premtojnë të qeverisin ndryshe janë provuar dhe kanë dështuar, ndaj nuk kemi pse të eksperimentojmë, tha Veliaj. “Eksperimente nuk bëjmë më. Ai thotë “më provoni”! E provuam në Bashkinë e Tiranës, doli fiasko. E provuam në Ministrinë e Jashtme, i fali detin Greqisë. E provuam në Ministrinë e Brendshme, vrau katër veta në Bulevard. E provuam te rruga Durrës-Kukës, ikën 300 milionë euro dhe nuk shkoi as në gjykatë tre vjet,” theksoi ai.
Ndërsa për LSI-në, Veliaj tha se as nuk mund të quhet alternativë qeverisëse. “Ajo pala tjetër, e patë se si ziheshin për zyrat. Milionerët zihen të marrin zyrat e Bashkisë! Janë keq ata për 300 mijë lekë zyra në Tiranë?! Normale, se qyli është shumë i ëmbël. Zaptimi është shumë i ëmbël. Kur s’ke punuar për diçka, qyli të shijon shumë. Këta janë parti e qylit. ‘Tit vettingu’, ‘Vojo Spaku’, apo ‘Rimi OFL-së’ janë alternativë?!”, ironizoi Veliaj.
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës tha se Tirana dhe Shqipëria nuk mund të ecë përpara me modelin e “të fortit” mbi “Range Rover” 100 mijë euro, por që komandohet nga të tjerët. “Kush ka bërë 99 shtëpi, bën edhe 100. Kush ka shtuar vetëm vilat e veta, nuk e bën dot. Atë nuk e voton dot as gruaja, e tërheq prej hunde kunati, i shkon presidenti nëpër zyra të zaptuara për ta mbrojtur. Një njëri që e komandojnë të tjerët nuk e bën dot këtë punë. Ne na duhet një si Mimi me atlete, jo një që i hipën “Range Rover”-it, podium 100 mijë euro dhe iu thotë njerëzve “më adhuroni mua se, jam me makinë të shtrenjtë””, u shpreh Veliaj.
Top Channel