Gareth Southgate këmbëngul në vaksinimin e futbollistëve. Trajneri i përfaqësueses angleze ka deklaruar se lojtarëve duhet t’iu ofrohet mundësia e vaksinimit. Sipas 50-vjeçarit nga Watfordi, futbollistët duhet të përfitojnë nga një vaksinim i shpejtë, pasi janë të ekspozuar dhe shumë të rrezikuar, duke luajtur vazhdimisht gjatë kohës së pandemisë.

Në fakt në Mbretërinë e Bashkuar deri tani janë vaksinuar me njërën dozë më shumë se 25 milionë banorë, pra bëhet fjalë afërsisht për gjysmën e popullsisë sa u përket personave të rritur. Kategoria e futbollistëve nuk ka përfituar ende, por në mënyrë të kuptueshme shumë lojtarë kanë udhëtuar nëpër vende të ndryshme të Kontinentit të Vjetër, për shkak të Kupave të Evropës, ndërsa një pjesë e madhe e tyre pritet të shpërndahet pas vetëm disa ditëve nëpër vendet e origjinës, për arsye të ndeshjeve të shumta që do të zhvillohen nga skuadrat përfaqësuese, të vlefshme për eliminatoret e kampionatit të ardhshëm botëror, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Katar.

Gareth Southgate u shpreh se futbolli ka përgjegjësi për shëndetin e lojtarëve, duke i nxitur ata vazhdimisht për të zbritur në fushë. Seleksionuesi i përfaqësueses angleze shtoi se në këtë mënyrë duket sikur drejtuesit po i ekspozojnë akoma më shumë futbollistët drejt rrezikut të infektimit me Virusin Covid-19.

Në një periudhë kohe kaq të vështirë lojtarët po rrezikojnë shumë më tepër sesa njerëzit e tjerë dhe Southgate shpjegoi se krerët më të lartë mbajnë përgjegjësi për jetën dhe shëndetin e futbollistëve. Ashtu siç edhe pritej në Mbretërinë e Bashkuar të parët që përfituan njërën dozë të vaksinës ishin punonjësit e shërbimit shëndetësor dhe ndarja e tyrë është bërë në shkallë të gjerë duke u bazuar te mosha, apo gjendja shëndetësore.

Pra duke lënë mënjanë personat e përfshirë në shërbimin shëndetësor profesioni nuk përbën kriter dhe nuk merret fare parasysh, në radhën e vaksinimit. Gareth Southgate ka qartësuar se çdo lëvizje bëhet e vështirë, duke marrë në konsideratë problemet e fundit që kanë dalë në lidhje me furnizimin në sasi të mëdha të vaksinës kundër virusit Covid–19.

Southgate saktësoi se me një deklaratë të tillë ai nuk po kërkon aspak që futbollistët të përfitojnë vaksinën përpara punëtorëve, mësuesve apo dhe njerëzve të tjerë, sepse sipas tij kjo kategori njerëzish e meriton që të vaksinohet më shpejt, por gjithsesi për 50-vjeçarin tani sektori I futbollit është shumë më pranë situatës kur klubet dhe lojtarët të mund t’i kursejnë fonde të rëndësishme sektorit të shëndetësisë, duke i blerë dhe administruar vetë vaksinat.

Që nga rikthimi i ndeshjeve në Mbretërinë e Bashkuar, në mesin e qershorit të vitit të kaluar e deri më sot futbollistët, pjesëtarët e tjerë të stafit apo dhe vetë drejtuesit janë lejuar që të zhvendosen normalisht dhe pa probleme si brenda ashtu edhe jashtë Ishullit, për të mos patur pobleme me kalendarin e ndeshjeve. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe tani me futbollistët e grumbulluar në përfaqësueset respektive, por me një ndryshim të madh, pasi këtë herë lojtarët që do të dalin jashtë Ishullit do të rrezikojnë masat e forta të izolimit apo karantinimin.

Anglia bën pjesë në Grupin I në ndeshjet kualifikuese të UEFA-s për botërorin e ardhshëm. Më datat 25 e 31 “Tre luanët” do të presin në Wembley respektivisht San Marinon dhe Poloninë, ndërsa në mes, më datën 28 mars, ekipi i drejtuar nga trajneri Gareth Southgate do të përballet me përfaqësuesen kuqezi në Arenën Kombëtare të Tiranës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA