Një studim i realizuar nga Spitali Universitar Rikshospitalet në Oslo, pretendohet se ka gjetur arsyen përse tre punonjës shëndetësisë në vend, të imunizuar me vaksinën e AstraZenecas pësuan mpiksje gjaku, dhe njëri prej tyre më vonë vdiq.
Të tre ata ishin nën moshën 50 vjeç. Grupi i ekspertëve të drejtuar nga profesor Pal Andre Holme kanë punuar intensivisht këto ditë për të gjetur një përgjigje. Ata mbështesin hipotezën se vaksina ka nxitur një reagim imunitar më të fortë nga sa pritej, e pas tij janë krijuar mpiksjet e gjakut. “Ne e njohim këtë fenomen në sektorë të tjerë të mjekësisë, por aty nxitësi nuk është vetë mjekimi“, shprehet Holme.
“Verifikuam, por për një reagim të tillë, të rëndë imunitar në këto raste nuk gjetëm shkak tjetër veç vaksinës”, shtoi ai. “Asnjëri prej pacientëve nuk kishte histori të mëparshme shëndetësore që ta justifikonin një gjë të tillë. Kam bindjen se arsyeja janë antitrupat specifikë që krijohen dhe praktikisht vetë vaksina“.
Deri tani, 120 mijë norvegjeze janë vaksinuar me AstraZeneca-n dhe shumë pak raste efektesh serioze anësore janë raportuar. Megjithatë, Norvegjia ka vendosur ta ndaloje vaksinën britaniko-suedeze për momentin. Edhe pas vendimit të EMA-s për ti dhënë asaj drite jeshile, vendi nuk iu rikthye përdorimit të vaksinës, e cila vazhdon të mbetet e bllokuar edhe nga Suedia e Danimarka.
Top Channel