Pas përplasjes për zyrat, FRD i është me letër zyrtare kryebashkiakut Veliaj, kryetarit të KQZ dhe ambasadorëve duke thënë se Bashkia po vepron në kundërshtim me ligjin.
FRD në tre zgjedhjet e fundit ka qenë mbi 1 % në shkallë vendi. Bashkia ka paralajmëruar se do të përdorë forcën në datën 23, ora 10.00, pikërisht në këtë datë kur është lënë seanca në Gjykatë për të gjykuar çështjen.
“Ndërhyrja me forcë do sillte cënimin e të drejtave kushtetuese dhe ligjore”- tha kryetari i FRD-së, z. Sali Shehu.
Në letrën drejtuar kryebashkiakut Veliaj, drejtorisë së përgjithshme të objekteve publike, drejtorisë vendore të policisë, drejtorisë së policisë bashkiake thuhet:
“Partia FRD duke mos qenë dakord me të gjitha veprimet arbitrare të bëra në kundërshtim me nenin nr.22 për partitë politike, ku shprehet se:
“Partite parlamentare pajisen me ndërtesë për selinë e tyre qendrore dhe zyra vendore. Këtë të drejtë e ka edhe partia politike, mesatarja e votave të së cilës në tri zgjedhjet e fundit parlamentare ka qenë mbi 1 për qind në shkallë vendi.
Nëse partia politike është pajisur me ndërtesë me kontratë huapërdorjeje sipas këtij ligji, por nuk plotëson kushtet e parashikuara në shkronjën “b” të këtij neni, atëherë ka të drejtën e lidhjes së kontratës së qirasë për ndërtesën, për ta përdorur vetëm për selinë apo zyrat e saj vendore.
Pika 2 e nenit 22/1 thotë: Kontrata e huapërdorjes ose pagimi i qirasë, sipas këtij neni, për partitë politike zgjat për aq kohë sa partia politike plotëson kushtet e parashikuara në shkonjën “b” të nenit 22.”, duke theksuar se kjo është arsyeja përse i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë.
Kjo letër i është vënë në dijeni edhe kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi, ambasadores së SHBA, Yuri Kim, ambasadores së OSBE, Vincenzo del Monaco, ambasadorit të BE, Luigi Soreca.
Kujtojmë se para disa ditësh, pati një përplasje në godinën ku ndodhen zyrat e FRD, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti Ilir Meta. Incidenti u shkaktua pasi anëtarët e kësaj partie, nuk pranonin të lironin zyrat më kërkesë të bashkisë Tiranë.
Top Channel