Pas dritës jeshile të EMA-s/ Gjermania, Franca e Spanja rinisin vaksinimin me AstraZeneca

19/03/2021 11:44

Pas konfirmimit të Rregullatorit Europian të Shëndetësisë, EMA, se vaksina e AstraZeneca-s është e sigurt dhe efikase, shtetet kryesore të BE-së kanë vendosur të rinisin, pa humbur kohë, imunizimin me këtë vaksinë.

Agjencia Europiane e Barnave e rishikoi dhe një herë vaksinën pasi 13 shtete anëtare të bllokut e pezulluan përdorimin e saj, nga frika se shkakton mpiksje gjaku. EMA doli në përfundimin se vaksina nuk lidhet me ndonjë rrezikshmëri më të lartë të mpiksjes së gjakut.

Rreth 7 milionë vetë kanë marrë në BE vaksinën e AstraZenecas dhe 11 milionë vetë janë vaksinuar me të në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa ka një shtim të përdorimit edhe në vende të tjera. Është shumë e rëndësishme që të gjitha efektet anësore të monitorohen. Por ne vumë re se numri i trombozave të raportuara pas vaksinimit është më i ulët nga sa pritej në popullatën e gjerë”, deklaroi shefja e EMA-s,  Emer Cooke.

Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja njoftuan se do të rinisin përdorimin e vaksinës. Praktikisht, u takon shteteve individuale të BE-së që të vendosin nëse duan dhe kur duan ta rinisin imunizimin me AstraZeneca.

Danimarka u bë javën e kaluar vendi i parë që ndaloi përdorimin e vaksinës pas raporteve për mpiksje gjaku te disa njerëz. Një person vdiq, si pasojë e trombozave të shumta, dhjetë ditë pasi kishte marrë dozën e parë të saj. Autoritetet shëndetësore daneze kanë thënë se pezullimi do të zgjasë së paku dy javë, derisa rastet të hetohen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA