Kontrata për ndërtimin e “Skavicës”/ Kuvendi diskuton projektin që do financohet nga SHBA

19/03/2021 15:23

Projektligji për kontratën e ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës nga kompania amerikane Bechtel ka marrë miratimin e Komisionit të Ekonomisë.

Bëhet fjalë për një procedurë të veçantë negocimi me gjigantin amerikan, pra për një marrëveshje direkte mes qeverisë shqiptare dhe shoqërisë Bechtel, e cila me shumë gjasë do të financohet nga amerikanët përmes një kredie të butë prej 500 milionë dollarë.

Kontrata është paparashikuar të ndahet në dy faza, ku në fazën e parë firma amerikane do të bëjë një studim të detajuar të projektit, teksa faza e dytë e kontratës parashikon ndërtimin e kësaj vepre madhore.

“Nuk kemi një status strategjik të investitorit. Është e bazuar mbi marrëveshjen e firmosur midis shtetit shqiptar dhe departamentit amerikan. Investimi do të bëhet përmes fondeve të vënë anë dispozicion nga KESH për kontratën e parë dhe ndërkohë për kontratën e dytë ne po punojmë në bashkëpunim si me DFC dhe me Bechtel International për gjetjen dhe sigurimin e financimit të huaj, që do të vijë në formën e kredisë”, tha Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës.

Projekti për hidrocentralin e Skavicës ka një histori 50 vjeçare, e tentuar të ndërtohej nga disa qeveri të kohës. Aktualisht, janë dy versione që po shqyrtohen për ndërtimin e HEC Skavicës, ku njëra prej tyre kap vlerën e 310 milionë euro, ndërsa oferta e dytë 510 milionë euro.

Më herët ishte Bashkimi Europian që kishin shprehur angazhimin për dhënie të asistencës për këtë projekt, por pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit të qeverisë shqiptare me amerikanët në tetor të 2020-ës, Bashkimi Europian u tërhoq.

Realizimi me sukses i kësaj vepre pritet të ulë varësinë e importit të energjisë elektrike dhe të shndërrojë vendin në fuqi eksportuese, si dhe t’i japë fund problematikës së përmbytjeve në zonën e Fushë Shkodrës.

Top Channel