Ngjarja e rëndë, e pak ditëve më parë, ku Demokrat Medinaj, vrau me thikë bashkëshorten e tij Irvana Hyka, në prani të dy fëmijëve të mitur tronditi opinionin publik.
Në diskutimin, në studion e “Shqipëria live”, ekspertët flasin për fenomenin, ku vazhdimisht vajzat dhe gratë vriten nga burrat. Sipas psikologes, Oriola Pampuri, mënyra si është marrë jeta Irvanës, që po ashtu dyshohet se ishte në pritje të një fëmijë, është makabre. “Agresiviteti që është përdorur për të kryer këtë krim të bën të mendosh se ka një lloj devijance”.
Ndërsa, sociologu, Gëzim Tushe, e trajton si një fenomen të shoqërisë, i nxitur nga mentaliteti.
“Gjithmonë gjejmë arsye të shëndetit mendor për vrasësin, por kam përshtypjen se kemi një kornizë kulturore në shoqëri, një koncept maskilist dhe totalitar. Nuk e përjashtoj rastin se janë probleme të shëndetit, por kemi një problem në shoqëri që nuk po rregullohet, koncepti që kanë për gratë, duan ti kontrollojnë, është një problem i shoqërisë, janë disa komponentë tradicionalë, kulturorë, që nxisin këto krime. Mentaliteti është më i fortë se problemet mendore. Për mua është përtej kësaj gjëje”.
Sevim Arbana, shoqëria civile, thotë se shoqëria shqiptare po bën hapa pas dhe i bën thirrje grave të mos heshtin. “Duhet t’i rikthehemi të gjithë fenomenit social. Që në vitin 2000, kur një burrë e vrau dhe e futi në thes gruan, aty nisi kjo histori dhe që atëherë ka pafund raste makabriteti. Jemi rikthyer mbrapa, duhet t’i themi grave mos heshtni, mos toleroni asnjë fyerje. Jam pa fjalë çfarë po ndodh në këtë realitet kaq maskilist…”
Në intervistat e gazetarit të “Shqipëria live” me fqinjët e çiftit, theksohet se ata ishin “familje e shkëlqyer dhe e mbarë”. Kjo sipas ekspertëve, tregon mentalitetin e shoqërisë për të mos treguar, “duke e konsideruar turp nëse tregojnë se dhunohen, derisa vjen një moment që ndodhin të tilla raste makabre”.
Top Channel