Top Channel ka zbuluar detaje të reja nga ekzekutimi i Behar Sofisë, krim që ndodhi më 25 shkurt.
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën “arrest me burg” për katër autorët, të cilët janë Ernejt Shyti, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë; Skënder Vathi, 54 vjeç, lindur në Arrameras, Fushë Krujë dhe banues në Tiranë; Leonar Xhixha, 30 vjeç, lindur dhe banues në Arrameras, Fushë – Krujë, Xhuljano Visha, 28 vjeç.
Ata akuzohen për veprën penale “vrasje me paramendim”. Ndërkohë, autoritetet po refuzohen nga Skënder Vathi, i cili deri tani nuk ka pranuar të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë.
Në vendimin e zbardhur që gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha disponon, rezulton se Ernejt Shyti ka pranuar krimin dhe faktin që calonte para se të kryente krimin me qëllimin që të mos identifikohej dhe kapej nga policia. Kujtojmë se ekspertët nga Britania e Madhe kanë parë se vrasësi shfaqet duke pritur shënjestrën teksa çalon duke thënë se e improvizon këtë ecje dhe nuk ka probleme.
“I ndaluari Ernejt Shyti ka pranuar se ka bërë vrasjen e shtetasit Behar Sofia me datë 25 shkurt 2021 afër Piramidës në Tiranë”, thuhet në vendim.
Sa i përket Xhuljano Vishës, marrëdhënien me të cilin e konfirmon edhe vëllai binjak i Ernejtit, vrasi thotë se njihen prej vitesh duke thënë se i ka propozuar kryerjen e vrasjes duke qenë se ai vetë nuk e bënte dot pasi ishte pikasur nga roja e pallatit ETC.
“Ky shtetas i ka siguruar armën me silenciator si dhe biçikletën me të cilën ka lëvizur si dhe ka bërë prezantimin me dy persona të tjerë, të cilit ai implikon. Njëri është Leonard Xhixha, i cili ka vëzhguar viktimën dhe i ka dhënë nëpërmjet telefonit foton e viktimës. Gjatë takimit me Leonardon, ka njohur edhe Skënder Vathin, i cili është identifikuar si “Dajo” dhe ka bërë ruajtjen e viktimës poshtë pallatit. Në deklarim ka pretenduar se Leonard Xhixha i është shprehur se kishte dhe një punë tjetër për të bërë”, thuhet në vendim.
Në dëshminë e saj, nëna e Shytit tha: “Ernejti ka një vëlla binjak dhe prej dy vitesh jeton në Malin e Zi, ku punon si hekurthyes në ndërtimin e aeroportit të Malit të Zi. Ernejti ka ardhur në Shqipëri pak ditë para vitit të ri 2021 dhe ka ndejtur në Shqipëri deri në fund të shkurtit kur është larguar drejt shtetit të Malit të Zi”. Ndër të tjera shtoi se herën e fundit e ka parë kur ishte në gjumë pasi u nis herët në mëngjes për në punë.
Si ndodhi ekzekutimi?
Burimet, tregojnë se viktima ka qenë duke pirë kafe poshtë banesës së tij, në katin e dytë të një qendre tregtare pranë rrugës së Elbasanit, një lokal të cilin ai e frekuentonte shpesh dhe që gjithnjë ishte nën prani të personave të tjerë, Të njëjtin itinerar, Sofia e ndoqi edhe të enjten. Ai piu kafe herët në mëngjes dhe doli për të bërë një shëtitje, dy ditë pasi kishte kaluar Covid-19.
Sipas informacioneve, autori e kishte pritur në urën midis zonës se Piramidës dhe katedrales katolike të Shën Palit. Më pas, ai e ndjek për rreth 30 metra dhe e qëllon shumë pranë, një plumb e kap në trup dhe një në kokë. Kamerat e sigurisë tregojnë se autori ka qenë i veshur me një kostum sportiv ngjyrë të errët, me kapuç dhe me maskë mbrojtëse anticovid. Ai është larguar qetësisht pas atentatit, drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit. Më pas ka marrë një biçikletë dhe është drejtuar në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës.
Pista kryesore e hetimit është ajo e vrasjes për larje hesapesh për shkak të prishjes së pazareve të drogës, por një mundësi e vogël është që vrasja mund të jetë bërë edhe për shkaqe banale.
Kush është Behar Sofia?
Behar Sofia, rezulton të jetë një përkrahës i njërës prej partive politike në vend dhe me njohje të shumta në policinë e shtetit, duke qenë edhe një biznesmen i suksesshëm në Tiranë. Viktima rezulton me disa biznese në zonën pranë stadiumit Dinamo, por shpesh ka pasur konflikte dhe në biznese i kanë vendosur edhe eksploziv.
Sofia, në vitin 1998 u arrestua në Turqi së bashku me trafikantin Abdulselam Turgut, pasi u kapën me rreth 30 kg heroinë. Mes te arrestuarve ishte edhe Hekuran Hoxha, i cili u arrestua përsëri në 2019, për llogari të operacionit Volvo 4 dhe i dyshuar se është kreu i grupit të laboratorit të kokainës në Has. Turgut, tashmë është shpallur në kërkim, pasi donte të kryente një atentat terrorist në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në vendin tonë.
Top Channel