Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe nënpresidentja Kamala Harris do të vizitojnë sot qytetin Atlanta në shtetin Xhorxhia, për të ofruar mbështetje për komunitetin aziatiko-amerikan, pas vrasjes së gjashtë grave aziate në dy banja atje.
Biden po ashtu urdhëroi që flamujt në të gjitha ndërtesat federale në SHBA dhe jashtë të ulen në gjysmështizë, për të nderuar tetë njerëzit e vrarë më 16 mars.
Shtëpia e Bardhë tha se Biden dhe Harris do të takojnë udhëheqës aziatiko-amerikanë, për të diskutuar sulmet dhe kërcënimet kundër komunitetit.
Grupet e të drejtave të njeriut e kanë lidhur rritjen e dhunës ndaj aziatiko-amerikanëve me pandeminë COVID-19, e cila ka origjinën në Kinë.
Disa ligjvënës kanë spekuluar se vrasjet janë motivuar së paku pjesërisht nga ndjenjat anti-aziatike, që burojnë nga pandemia.
Drejtori i FBI-së, Chris Wray, tha në një intervistë për radio-stacionin publik NPR se motivi i personit të armatosur ende nuk është kuptuar plotësisht.
Sulmuesi i dyshuar, Robert Aaron Long, është ngarkuar me tetë akuza për vrasje.
Sipas Qendrës për Studimin e Urrejtjes dhe Ekstremizmit në SHBA, krimet e urrejtjes kundër aziatiko-amerikanëve janë rritur për 149 për qind në vitin 2020 – në 16 qytete kryesore – krahasuar me vitin 2019.
Top Channel