Departamenti amerikan i shtetit i ka bërë hapur thirrje kompanive të reshtin aktivitetin mbi gazjellësin polemizues Nord Stream 2, në të kundërt rrezikojnë të përballen me sanksione.
SHBA e cilësoi projektin si një plan të Rusisë “për të përçarë Europën dhe dobësuar sigurinë energjetike europiane”.
“Administrata Biden e ka bërë të qartë se ‘Nord Stream 2’ është një marrëveshje e keqe. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë aktivitetin dhe të paralajmërojmë çdo entitet të përfshirë tek Nord Stream 2 se do të rrezikojë sanksione. Jemi të përkushtuar që për këtë çështje, të jemi në një linjë me legjislacionin e Kongresit”, tha sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken.
Blinken e theksoi se disa administrata amerikane e kanë bërë të qartë se gazsjellësi rus është një projekt gjeopolitik, që synon të mbjellë farën e përçarjes në kontinentin e vjetër. Shtetet e Bashkuara janë përpjekur në mënyrë aktive t’i bindin aleatët europianë që të blejnë gazin natyror amerikan në vend të atij rus.
“Nord Stream 2” llogaritet të dyfishojë kapacitetin e infrastrukturës ekzistuese të furnizimit dhe do të anashkalojë vende tradicionale tranziti si Ukraina e Polonia, e kjo me shumë gjasë, do t’i lërë ato pa të ardhurat e përfituara deri tani në këtë mënyrë. Sipas Blinken, projekti që do të dërgojë gaz direkt në Gjermani përmes tubacioneve në shtratin e detit Balltik, është një ujdi e keqe sidomos për vetë Gjermaninë, si edhe për aleatët e Amerikës në Europën Qendrore e Lindore.
Top Channel