Pas rritjes së lehtë që shënuan në janar, eksportet shqiptare iu rikthyen sërish trendit rënës muajin e kaluar, duke reflektuar presionin e pandemisë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në shkurt produktet “Made in Albania” që u eksportuan jashtë arritën në rreth 24.7 miliardë lekë apo  201 milionë euro, duke u ulur me 0.9% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Ndërsa, si raport 2 mujor arritën në 49 miliardë lekë, rreth 1 miliardë lekë më shumë se në janar-shkurt 2020.

Goditjen më të madhe në tkurrjen e eksporteve e kanë dhënë fasonët me një rënie prej 7.6% , që duket se po penalizohen ndjeshëm nga mungesa e kontratave të reja dhe vendosja e masave bllokuese nga vendet partnere.

Statistikat tregojnë se në shkurt, eksportet e këtij grupi arritën në 67.6 milionë euro, rreth 15.5 milionë euro më pas se shkurti i vitit të kaluar.

Ndërsa eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve kanë vijuar rritjen edhe gjatë shkurtit me 4.9%, duke reflektuar edhe situatën positive të sektorit që duket se i ka rezistuar edhe pandemisë, teksa rritje kanë parë edhe eksportet e produkteve ushqimore.

Shqipëria ka fuqizuar më tej marrëdhëniet tregtare me Kinën veçanërisht, Kosovën e Greqinë fqinje muajin e kaluar, teksa janë ulur ndjeshëm ato në drejtim të Italisë e Spanjës, si rrjedhojë e mosnënshkrimit të kontratave të reja me fasonët.

Ndërsa mallrat e importura nga jashtë u rritën me rreth 0.9%, duke arritur në total në 52.2 miliardë lekë apo 424.8 milionë euro, çka ka sjellë edhe rritjen e  deficitit tregtar në nivelin e 27 miliardë lekëve në fund të shkurtit, rreth 2.7% më shumë se shkurti i vitit të kaluar.

Top Channel