Goditet grupi kriminal që shiste armë zjarri në kryeqytet, arrestohen tre anëtarë, në kërkim një tjetër Pas rritjes së lehtë që shënuan në janar, eksportet shqiptare iu rikthyen sërish trendit rënës muajin e kaluar, duke reflektuar presionin e pandemisë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në shkurt produktet “Made in Albania” që u eksportuan jashtë arritën në rreth 24.7 miliardë lekë apo 201 milionë euro, duke u ulur me 0.9% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Ndërsa, si raport 2 mujor arritën në 49 miliardë lekë, rreth 1 miliardë lekë më shumë se në janar-shkurt 2020.
Goditjen më të madhe në tkurrjen e eksporteve e kanë dhënë fasonët me një rënie prej 7.6% , që duket se po penalizohen ndjeshëm nga mungesa e kontratave të reja dhe vendosja e masave bllokuese nga vendet partnere.
Statistikat tregojnë se në shkurt, eksportet e këtij grupi arritën në 67.6 milionë euro, rreth 15.5 milionë euro më pas se shkurti i vitit të kaluar.
Ndërsa eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve kanë vijuar rritjen edhe gjatë shkurtit me 4.9%, duke reflektuar edhe situatën positive të sektorit që duket se i ka rezistuar edhe pandemisë, teksa rritje kanë parë edhe eksportet e produkteve ushqimore.
Shqipëria ka fuqizuar më tej marrëdhëniet tregtare me Kinën veçanërisht, Kosovën e Greqinë fqinje muajin e kaluar, teksa janë ulur ndjeshëm ato në drejtim të Italisë e Spanjës, si rrjedhojë e mosnënshkrimit të kontratave të reja me fasonët.
Ndërsa mallrat e importura nga jashtë u rritën me rreth 0.9%, duke arritur në total në 52.2 miliardë lekë apo 424.8 milionë euro, çka ka sjellë edhe rritjen e deficitit tregtar në nivelin e 27 miliardë lekëve në fund të shkurtit, rreth 2.7% më shumë se shkurti i vitit të kaluar.
Top Channel