Shoqëria e transportit Pojska Trans që operon në Pogradec, abuzon me licencën marrë nga shteti për transportin e udhëtarëve.
Si pasojë e këtij abuzimi shumë taksi të tjera të licensuara kanë mbetur pa punë,pavarësisht se u duhet që në fund të muajit të paguajnë detyrimet në shtet. Ndërkohë sipas licencës që shoqëria Pojska Trans disponon duhet të kryejë transportin e udhëtarëve çdo 20 minuta vetëm për linjën Pogradec-Lin.
Në emisionin Fiks Fare shoferët e taksive të licencuara që mbeten pa punë ankohen se shoqëria e transportit Pojska Trans jo vetëm që nuk shkon fare në Lin, por duke abuzuar kthehet në fshatra të tjera gjë për të cilën nuk ka licencë. Ata thonë se abuzimi nuk përfundon këtu, por vijon me mos respektimin e orareve apo mos prerjen e biletave për pasagjerët.Gjithashtu shoferët e taksive tregojnë se për këtë problem i janë drejtuar edhe bashkisë, por nuk kanë marrë zgjidhje.
Gazetarët e Fiksit pajisin me kamer të fshehtë një nga shoferët që ankohet për problemin. Ai takon inspektorin e drejtorisë së transportit në bashki për të marrë një përgjigje. Inspektori thotë se janë në dijeni të problemit, por nuk kanë çfarë të bëjnë për arsye se shoqëria mbrohet nga drejtori në bashki z. Durim Toska. Bashkëpunëtorët e Fiksit shkojnë të takojnë përgjegjësin e shoqërisë Pojska Trans. Ai rrëfen se jo vetëm që i ka të gjithë miq në bashki, por madje siguron mbrojtje edhe nga ” të mëdhenjtë”. Gazetarët e Fiksit shkojnë në policinë bashkiake ku takojnë drejtorin e policisë bashkiake.
Gjatë intervistës drejtori thotë se shoqërinë Pojska Trans e kanë gjobitur disa herë dhe nuk di pas sa gjobave duhet t’i hiqet licenca. Ndërkohë që theksoi se do bëjë propozimin për pezullimin e licencës tek kryetari i bashkisë, pasi shkelja është e vazhdueshme. Gazetarët takojnë edhe drejtorin e bashkisë z. Durim Toska.
Ai pranon se shoqërinë e ka mbrojtur, por ka qenë i detyruar nga telefonat që ka marrë për të mos gjobitur shoqërinë e transportit ndërsa inspektorit i bën presion duke i thënë se nëse ai ka përmendur emrin e tij të nesërmen të japë dorëheqjen. Gjithashtu drejtori duke pranuar se ka marrë telefonata nga më “të mëdhenjtë” në emër të shoqërisë Pojska Trans që abuzon me licencën pohon se kjo situatë nuk do përsëritet më dhe se mbi shoqërinë e transportit do të merren masa të menjëhershme.
Top Channel