Në Gjirokastër nuk refuzohet vaksina/ Sot janë duke u imunizuar pedagogët e universitetit “Eqrem Çabej”

18/03/2021 15:15

Në Gjirokastër po vijon procesi i vaksinimit të mësuesve dhe të pedagogëve. Që nga fillimi i procesit janë vaksinuar gati 160 mësues ndërsa ka ngelur edhe gjysma e tyre ende për tu vaksinuar.

Pegagoge: “Në qoftë se do flas për veten time vendimi nuk ishte i vështirë sepse në formimin tim kam besim të plotë në zhvillimet e shkencës aq më tepër në aspektin psikologjik, pjesa e vaksinës ishte e shumëpritur.”

Mësues: “Vajta dy ditë që e kam bërë në Tepelenë. Jam arsimtar në gjimnazin e Tepelenës. Vaksinimi shkoo shumë mirë. Normal që pas vaksinimit ka shenja, temperaturë 37.5 dhe ethe por ishin të përballueshme.”

Procesi pritet të përfundojë deri në fillim të javës tjetër ndërsa problemet nuk duken madhore. Ka raste refuzimesh që lidhen kryesisht me persona të cilët e kanë kaluar Covid gjatë periudhës së fundit sidomos gjatë muajit shkurt dhe kanë kërkuar që për ta të kryhet vaksinimi në një fazë të dytë.

Arenc Brahimi: “Nuk kemi refuzime as me Pfizer dhe as me Astra Zeneca që po aplikojmë këto ditë këtu në qendrën e vaksinimit në Gjirokastër.Deri tani në qytet janë bërë mbi 700 vaksina kryesisht sipas grup moshave 90+ dhe 80+ dhe nuk ka dhënë asnjë efekt anësor serioz në asnjë rast.”

Vaksinimi po kryhet edhe në dy bashki të tjera atë të Dropullit dhe të Libohovës ku planifikohet që deri në fund të kësaj jave të përfundojë vaksinimi i arsimtarëve.

Top Channel