Sa është përqindja e mësuesve që kanë refuzuar vaksinën? Manastirliu flet nga Fieri: Nuk është alarmante

17/03/2021 11:39

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka mbërritur në Fier për të parë nga afër procesin e vaksinimit të mësuesve që pritet të marrin dozën e parë të AstraZeneca.

Duke folur para mediave, Manastirliu ka zbuluar se përqindja e mësuesve që kanë refuzuar të bëjnë vaksinën nuk është në nivele aq të larta sa të shkaktojë “alarm”.

“Nuk ka pasur përqindje që të na alarmojë pasi bëhet një epikrizë dhe vlerësim paraprakisht para se të kryejnë vaksinën. Pra shihet gjendja shëndetësore, si është gjendja e mësuesit që duhet të bëjë vaksinën, jepet rekomandimi nga mjeku përkatës nëse klasifikohet për të bërë vaksinën, nëse heziton ta bëjë vaksinën dhe do ta bëjë në një moment të dytë, thjesht përshkruan në formular arsyen dhe më pas rivlerësohet në një moment të dytë. Vaksina nuk është e detyrueshme, por e këshillueshme për tu bërë pasi shpëton jetë”, tha Manastirliu.

Ministrja shtoi se vaksinimi i mësuesve është i nevojshëm pasi janë kategori e riskuar. Vaksina anti Covid mund të lehtësojë masat dhe të bëjë të mundur rikthimin e nxënësve në shkolla sa më shpejt.

“Procesi i vaksinimit të mësuesve në Fier ka nisur sic ka nisur në të gjithë vendin. Janë vaksinuar 2664 mësues deri ditën e djeshme, ndërkohë që sot vijon të vaksinohet në të gjithë Shqipërinë. Janë më shumë se 45 shkolla, të cilat janë aktivizuar në këtë proces. Kemi bërë një ndarje territoriale në mënyrë që qendra shëndetësore së bashku me mjekë dhe vaksinatorë të mundet që në një  mënyrë të organizuar të vaksinojë nëpër shkolla. Kjo për të patur edhe më tepër lehtësi për mësuesit dhe për të garantuar një monitorim të të gjithë procesit të vaksinimit dhe për të vaksinuar një kategori më të riskuar për arsye të punës që bëjnë dhe që meriton të ketë këtë përparësi në mënyrë që të vijojë dhe me lehtësimin e masave dhe rikthimin në shkollave”, shtoi Manastirliu.

Top Channel