KE propozon “COVID-pasaporta” për lehtësimin e udhëtimit brenda BE-së

17/03/2021 14:46

Komisioni Evropian ka propozuar të mërkurën lëshimin e “pasaportës së gjelbër për COVID-19”, përmes së cilës synohet lehtësimi i lëvizjes së njerëzve brenda Bashkimit Evropian, në kohën e pandemisë.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ka thënë gjatë paraqitjes së këtij propozimi se synimi është që sa më parë të mundësohet lëvizja e lirë e njerëzve dhe kjo është e mundur në afat të gjatë vetëm përmes vaksinimit gjithëpërfshirës.

Komisioni Evropian ka sqaruar se këto pasaporta do të kenë tri elemente, të cilat do të duhej të ishin të mjaftueshme për të mundësuar lëvizjen e njerëzve.

Elementi i parë përmban vërtetimin për vaksinim kundër COVID -19, i dyti, vërtetimin për test negativ në këtë virus dhe i treti, vërtetim se personi është shëruar nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Një zyrtare kufitare duke kontrolluar pasaportën e një pasagjeri.

Të gjitha këto pasaporta duhet të përfshijnë edhe të dhënat për datën e vaksinimit apo testimit, emrin e institucionit që e ka bërë testin apo vaksinimin, emrin e vaksinës dhe afatin e vërtetimit.

Për momentin, sipas sqarimeve të Komisionit Evropian, pasaportat duhet të lëshohen në të gjitha vendet e BE-së dhe të pranohen në të gjitha shtetet tjera të BE-së si dhe shtetet e zonës Shengen, të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian ka nënvizuar se edhe shtetasit e huaj, me qëndrim në BE, kanë të njëjtat mundësi dhe të drejta për t’u pajisur me pasaporta.

COVID pasaportat: Rrëmujë apo zgjidhje?

Sa u përket pasaportave të lëshuara nga shtetet tjera joanëtare të BE-së, ato do të shqyrtohen nga Komisioni më vonë në bazë të standardeve, të cilat i kanë aplikuar ato vende.

Për momentin, pasaportat për vaksinim që do të vlejnë në tërë territorin e BE-së, të cilat vërtetojnë se personi është vaksinuar me njërën prej vaksinave, të cilat janë miratuar për përdorim në tregun e BE-së.

Por, shtetet anëtare mund të vendosin vetë që të pranojnë edhe vaksinimin me vaksina tjera.

Kjo çështje është parashtruar si problem për shkak se disa shtete të BE-së kanë nisur të vaksinojnë qytetarët e tyre edhe me vaksina nga Rusia dhe Kina, të cilat ende nuk janë miratuar nga autoritetet e BE-së./REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA