Një ditë para vendimit për Enkeleida Hoxhën, ILD kërkon shkarkimin e prokurorit të Krujës, Memia! Lejoi lirimin e Hekuran Billës

16/03/2021 11:24

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar nga Këshilli i Lartë e Prokurorisë që të shkarkojë nga detyra prokurorin e Krujës Bujar Memia.

Memia ka kryer shkelje të rënda profesionale dhe për këtë i referohen çështjes së Hekuran Billës, i cili u ekzekutua më 11 qershorit të vitit 2020. Ndonësi ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga autoritetet gjyqësore të huaja, por ishte lënë i lirë nga autoritetet shqiptare.

Gjithashtu, Memia dyshohet se ka heshtur për lirimin e të burgosurve nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha. Ajo u arrestua nga SPAK më 11 shkurt, pasi akuzohet se me një skemë të ngritur së bashku me disa funksionar të tjerë në Gjykatën e Krujës, ulnin dënime dhe lironin të burgosur. Fati i saj do të vendoset ditën e nesërme nga KLGJ.

ILD ka kërkuar hetim disipilon për prokurorin pasi sqaron se Memia ka ushtruar detyrë në mënyrë të parregullt duke kryer mospërmbushje të pajustifikuar të funksioneve gjatë dhe pas gjykimit.

“Hetimi i kryer nga ILD arrin në konkluzionin se shkeljet disiplinore janë kryer nga ana e magjistratit B.M. me “dashje direkte”. Kërkojmë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë të administrojë provat e paraqitura dhe të pranojë kërkesën së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistratit Bujar Memia, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për shkeljet disiplinore të parashikuara nga neni 148/d pika 2, shkronja “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nga neni 102, pika 1 shkronjat “ç”, “dh” dhe neni 102, pika 2, shkronja “a” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe caktimin ndaj tij të masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”, thotë kreu i ILD, Artur Metani.

Teksa thekson kërkesën për shkarkimin e tij nga detyra, Metani sqaron:

“Nga ana e magjistratit subjekt hetimi disiplinor janë ndërmarrë veprime/mosveprime të cilat kanë të bëjmë me mosrespektim të rëndë dhe të vazhduar të legjislacionit material dhe procedural penal

-nuk është kërkuar marrja e provave vendimtare për zgjidhjen e çështjes dhe nuk është ushtruar ankim ndaj vendimit pavarësisht mungesës së marrjes së një prove të tillë kryesisht nga gjykata duke mospërmbushur funksionet e veta gjatë gjykimit në ligjshmëri dhe paanësi të prokurorit në mbikqyrjen e ekzekutimit të vendimeve penale.

-mosdhënien e asnjë mendimi/shpjegimi/informacioni/ apo qëndrimi mbi udhëzimin jodetyrues të drejtuesit të prokurorisë për paraqitjen e ankimit nga prokurori i çështjes për shkak të mosmarrjes së provës me ekspert mjeko- ligjor

-nuk janë respektuar dispozitat penale me karakter urdhërues, të cilat parashikojnë kritere me karakter objektiv, ndalues dhe me një përmbajtje të drejtpërdrejtë dhe lehtësisht të kuptueshme për lirimin e të dënuarit, ku përvoja e gjatë profesionale në detyrë e magjistratit e lejon të interpretojë dhe zbatojë drejt këto dispozita;

-njohja e cilësisë së dhënë nga gjykata si i paraburgosur të të dënuarit për një periudhë gjatë të cilës, ai ka patur cilësinë e të dënuarit në kundërshtim me parashikimet ligjore

-qëndrimi pasiv gjatë gjykimit të lirimit me kusht të të dënuarit, megjithëse mori dijeni në këtë gjykim mbi dy vendime të dhëna nga e njëjta gjykatë, e cila gjatë periudhave të njëjta i ka njohur të dënuarit dy cilësi: si i paraburgosur dhe si i dënuar, në funksion të pranimit të çdo kërkese të paraqitur nga ana e tij, të cilat sollën dhe rritje fiktive të periudhës së dënimit të llogaritur për efekt lirimi

-mosrespektimi i kritereve ndaluese për përfitim amnistie

-qëndrimet e prokurorit në këto gjykime për pranim kërkese apo lënien e tyre në çmim të gjykatës

-mosankimi i vendimeve gjyqësore duke passjellë pamundësinë e ushtrimit të kontrollit gjyqësor të vendimeve të dhëna në kundërshtim me ligjin.”

Top Channel