Mjeshtri i enëve tradicionale/ Si prodhohen tiganët e qifqive në Gjirokastër

16/03/2021 12:22

Në Gjirokastër historikisht çdo familje ka pasur një tigan për të gatuar qifqi e që është receta tradicionale e qytetit.

Tigani i qifqive ishte një objekt me shtatë gropa i cili patjetër kërkonte pjekje në zjarr.

“Që kur kam filluar punë deri tani mund të kem bërë dhe 1000 copë”.

-Sa kohë të duhet që të punosh një tigan?

“Një tigan do një ditë sepse e marr fletë e kthej e bëj tepsi dhe pastaj shënoj gropat. Ky mund të ketë edhe 100 vjet “.

-Çekiçi?

“Po ky, këtë e ka pasur babai i ustait, ustai dhe sot e kam unë. Është një çekiç vetëm për këtë punë”.

Mjeshtri Leonard Gagani për më shumë se 40 vjet i jep formë objektit më autentik të kuzhinës në Gjirokastër dhe porositë vijnë nga e gjithë bota.

“Gjithë pazarin e kam pajisur me tiganë me bakër jo me alumin. Të gjithë turistët që vijnë po nuk hëngrën qifqi nuk ikin nga Gjirokastra”.

-Nga vijnë porositë?

“Kemi pasur në Amerikë, në Kanada,në Angli, në Gjermani, në Greqi, nga të gjitha vendet, çka shqiptarë, por tani marrin edhe të huajt që vijnë në Gjirokastër”.

Receta e thjeshtë prej tri përbërësish e qifqive të Gjirokastrës është e lidhur me sekretin e tiganit që preferohet të jetë prej bakri për të shpërndarë siç duhet nxehtësinë e për të mos e prishur formën e qifqive.

Gatimi i qifqive është pjesë e trashëgimisë lokale të ritit të dasmave e të lindjeve dhe gatuhej për të sjellë fat e mbarësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA