Japonia e pranon: Puna e tepërt vret, një punonjës i Sony-t vdiq nga oraret e zgjatura

16/03/2021 18:02

Zyra e verifikimit të kushteve të punës, në Japoni, ka dalë në përfundimin se vdekja e një punonjësi të Sony-t, në Emiratet e Bashkuara Arabe në janar të viti 2018 është shkaktuar nga puna e tepërt.

Rasti ka ngjallur shumë interes në Japoni, ku koha e punës e kalon thuajse gjithnjë, e madje në mënyrë të tepruar, orarin zyrtar. Shumë kompani kanë përfunduar vitet e fundit nën akuzë për shkak të aplikimit të orareve të gjata të qëndrimit të punonjësve të tyre në punë dhe qeveria japoneze i ka dhënë kështu jetë fushatave për ti kërkuar punonjësve të punojnë më pak dhe kompanive që të heqin dorë nga kërkesa për punë jashtë orarit.

Rasti i fundit, i rrëfyer nga familjarët dhe avokatët e viktimës, ka të bëjë me një punonjës mbi 40 vjeç, i punësuar me kontratë pa afat në 2007 dhe më pas i dërguar që të mbulonte marketingun e produkteve elektronike të Sony-t në Dubai. Janarin e tre viteve më parë, fatkeqësisht ai vdiq si pasojë e një infarkti. Familja, paraqiti një kërkesë për dëmshpërblim për shkak të fatkeqësisë në punë, por kjo kërkesë nuk u pranua fillimisht pasi regjistrimet e bexhit nuk tregonin se punonjësi kishte punuar shumë jashtë orarit.

Por familja nuk u dorëzua dhe përmes avokatëve nisi një hetim të pavarur, duke mundur të mbledhë të dhëna nga koha e aksesit në kompjuterin e punës dhe duke marrë në pyetje kolegët e viktimës. Më pas u mësua se personi në fjalë, tre muajt e fundit të jetës, kishte punuar mesatarisht 80 orë më shumë në muaj se orari i parashikuar. Muajt e fundit të jetës, siç tregon bashkëshortja, ai ishte bërë nervoz dhe ishte gjithnjë i lodhur.

Në 2019, sipas të dhënave, në Japoni janë njohur 174 vdekje për shkak të punës së tepërt, 88 nga të cilët kanë vrarë veten.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA