Anthony Fauci, këshilltari kryesor i presidentit amerikan Joe Biden për koronavirusin, u shpreh optimist se vendi mund të rikthehet në një shkallë normaliteti deri për Ditën e Pavarësisë më 4 korrik, por theksoi se megjithatë duhet të merren masa paraprake gjatë kësaj kohe për të shmangur një rritje të re të infeksioneve.

Shtetet e Bashkuara po përshpejtojnë ritmin e vaksinimeve të koronavirusit, me një shifër të lartë prej tre milionë injeksione të shtunën. Fauci tha në disa intervista se ai beson se Shtetet e Bashkuara do të kenë doza të mjaftueshme deri në fund të majit që çdo amerikan që dëshiron të mund të vaksinohet.

Biden tha javën e kaluar se të gjithë të rriturit, jo vetëm të moshuarit, duhet të kenë të drejtën të marrin vaksinën duke filluar nga 1 maji. Udhëheqësi amerikan parashikoi se familjet mund të jenë në gjendje të mblidhen për Ditën e Pavarësisë në grupe të vogla.

“Mendoj se parashikimi për 4 korrikun është mjaft i arsyeshëm. Megjithatë pandemia paraqet ende rrezik në Shtetet e Bashkuara, me numrin e rasteve të reja që ka mbetur në 50,000 ose 60,000 në ditë gjatë javës së fundit”, tha Fauci.

Në CNN, ai tha se është një moment “shumë delikat”, duke përmendur rritjen e rasteve në Europë kur zyrtarët atje lehtësuan kufizimet e koronavirusit.

“Ne mund ta shmangim këtë. Duhet të bëjmë sa më shumë vaksinime që të jetë e mundur. Rritja e vaksinimeve mund të ruhet e madje të rritet teksa SHBA hap më shumë qendra shëndetësore të komunitetit për vaksinat dhe më shumë farmaci fillojnë të japin vaksina”, shprehet Fauci.

Guvernatorët në disa shtete të SHBA-së kanë filluar të lejojnë bizneset të rifillojnë funksionimin normal dhe u kanë thënë banorëve në shtetet e tyre se nuk janë më të detyruar të mbajnë maska në publik, por Fauci mendon se është ende shpejt për lehtësime të tilla të masave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA