Osmani dhe Kurti pritet të takojnë drejtuesit e PDK-së dhe AAK-së

15/03/2021 09:55

Ushtruesja e detyrës së presidentit Vjosa Osmani dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, zhvillojnë sot gjatë ditës takime me krerë të partive tjera politike në Kosovë.

Ishin fituesit e zgjedhjeve të parakohshme ata që dërguan ftesat. Kurti synon postin e kryeministrit, ndërsa Osmani, e cila ka garuar në listën e LVV-së kërkon mandat të plotë si presidente. Mësohet se kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhajt, e ka bërë ftesën për takim në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Të njëjtën gjë ka bërë dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj.Ndërkohë, Lumir Abdixhiku, kryetari i ri i Lidhjes Demokratike ka thënë se nuk do të arrijë të marrë pjesë në takim sepse i duhet të dalë në zyret e LDK-së, në ditën e parë si kryetar i kësaj partie.

Ai ka propozuar të premten si ditë kur do të mund të zhvillohet ndonjë takim eventual me Osmanin dhe Kurtin.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit shënoi një fitore bindëse, duke siguruar 58 vende në legjislaturën e re. Sipas rezultatit përfundimtar, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 vende, Lidhja Demokratike e Kosovës, 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë tetë deputetë.

Për formimin e Qeverisë në Kosovë duhen të sigurohen 61 vota në Kuvendin e Kosovës. Kurti është shprehur se qeverinë kërkon ta formojë me disa parti të komuniteteve joserbe. Sa i përket pozitës së presidentit, kandidatët për këtë pozitë duhet të kenë 80 vota për të fituar postin në presidencë.

Top Channel