Real Madridi arkëtoi 100 milionë euro nga shitja e Cristiano Ronaldos tek Juventusi në korrik të vitit 2018. Në aspektin ekonomik, operacioni në atë kohë dukej shumë i dobishëm për “Los Blancos”.
Sidoqoftë, kalimi i kohës ka treguar se nuk ishte aq fitimprurës. Reali ka shpenzuar më shumë se trefishi i kësaj shume në përpjekje për të mbushur boshllëkun e lënë nga shënuesi më i mirë në historinë e klubit dhe nuk ka arritur ta mbulojë atë.
Në total, klubi “merengues” ka disbursuar 304 milionë për blerjen e futbollistëve me emër në mënyrë që të lehtësonte deficitin e shënuar nga largimi i Cristiano: Hazard ka kushtuar 115 milionë, Vinicius 45, Rodrygo 45, Mariano Díaz 22, Jovic 60 dhe Brahim Díaz 17 milionë.
Problemi më i madh i Real Madridit nuk ka qenë shpenzimi i trefishit të shumës që përfitoi nga shitja e Cristianos. Ata që mbërritën në vendin e tij nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë, të gjithë bashkë, shifrat e “yllit” portugez. Në total, gjashtë përforcimet për sulmin madrilen në tre vitet e fundit kanë shënuar 35 gola. Vinicius 13, Rodrygo 8, Mariano Díaz 6, Hazard 4, Jovic 2 dhe Brahim Díaz 2.
Cristiano, nga ana e tij, nuk e ka ulur ritmin e shënimit tek Juventusi. “Ylli” portugez pothuajse ka realizuar trefishin e golave të shënuar nga gjashtë “zëvendësuesit” të tij në Madrid. Që nga momenti i nënshkrimit me Juventus, CR7 ka shënuar 95 gola në 122 ndeshje. Këtë sezon ai tashmë ka realizuar 30 gola në 33 ndeshje, mesatarisht gati një gol për takim.
Në sezonin debutues në Itali (2018-19), Ronaldo shënoi 28 gola në 43 ndeshje, ndërsa sezonin e kaluar ai kapi shifrën e 37 golave në 46 takime. Paraqitja e tij e fundit ishte këtë të diel, me një tregolësh brenda 32 minuta ndaj Cagliarit, si përgjigje ndaj kritikave për eliminimin e bardhezinjve në Champions.
Top Channel