Barcelona nuk bën blof në sfidën me Huescan në “Camp Nou”, fiton 4-1, parakalon Realin në renditje dhe ngushton në vetëm 4 pikë diferencën me Atleticon e Madridit, që kryeson me 63 pikë. Gara në La Liga, është më e hapur se kurrë, ndonëse “Los Colchoneros” mbeten më të avantazhuar.
Dy gola dhe një asist për Lionel Messin, që vazhdon të kryesojë garën për golashënuesin më të mirë të La Ligas me 22 finalizime dhe 8 asiste.
Messi zhbllokoi takimin që në minutën e 13-të, i shërbyer nga Busquets, ndërsa Griezmann çoi shifrat në 2-0 me një supergol, të realizuar nga distanca në minutën e 35-të. Para se skuadra të shkonin në dhomat e zhveshjes shkurtoi diferencën (2-1) Mir me 11-metërsh.
Në të 53-tën gjeti rrjetën edhe i riu Mingueza, i cili shfrytëzoi më së miri krosimin e Lionel Messit. Në kohën shtesë 6 herë fituesi i Topit të Artë realizoi golin që vulosi fitoren 4-1 të “blaugranave”.
Top Channel