Shumica e brishtë parlamentare dhe mungesa e opozitës në sallën e Kuvendit së fundmi ka penguar miratimin e 68 ligjeve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Partitë opozitare shqiptare ASH-Alternativa kanë vendosur që të pengojnë miratimin e ligjeve, pasi këmbëngulin për arrtitjen e dakordësisë rreth ligjit të propozuar prej tyre për shtetësinë. Koordinatori i grupit parlamentar të koalicionit opozitar Skender Rexhepi-Zejdi thotë se opozita është e interesuar që të zgjidhet bllokimi i punës së Kuvendit, por me një marrëveshje të përbashkët.

“Për ne është me rëndësi të zgjidhet çështja e shtetësisë, kjo mund të bëhet me marrëveshje në kuadër të Kuvendit, por mund të bëhet edhe më takim liderësh”, thotë Rexhepi. Ndërkaq kryetari i BDI-së Ali Ahmeti është shprehur i gatshëm të ulet dhe të bëjë kompromis me opoziten shqiptare për ta zhbllokuar punën e Kuvendit.

Ahmeti thotë se shumica parlamentare është e qëndrueshme dhe se Kuvendi po funksionon, por ka disa ligje që janë bllokuar në komisionet që drejtohen nga opozita. Nga ana tjetër kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, ka shprehur gatishmëri për mbajtjen e një takimi të liderëve të partive parlamentare. Përveç partive në opozitë, ai ka thënë se është i gatshëm të ulet edhe me partitë më të vogla të përfaqësuara në Kuvend për të tejkaluar të gjitha dallimet dhe mosmarrëveshjet.

“Amendamentet e opozitës kanë bllokuar punimet e Kuvendit. Kuvendi është vend ku duhet të bisedohet dhe zgjidhen mosmarrëveshjet, në rast se ka nevojë për takim liderësh edhe atë do ta bëj, do të thërrasë takim liderësh, edhe me opozitën maqedonase edhe me opozitën shqiptare. Bllokimi i Kuvendit dëmton interesat e qytetarëve, këtë nuk duhet ta lejojmë”, është shprehur kryeministri Zaev. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela e kundërshton takimin e liderëve. Sipas tij zhbllokimi i ligjeve do të bëhet vetëm në rast se zhbllokohet ligji për shtetësinë.

Top Channel