Abdixhiku: Sot hapim një faqe të re me synime e qëllime për ta kthyer LDK-në në vendin e saj

14/03/2021 21:21

Kryetari i sapo zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka falënderuar të gjithë për përkrahjen që i kanë dhënë për tu bërë lider i LDK-së.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se LDK-ja do të jetë konstruktive, aktive dhe e pashtershme në përpjekjen për progres të shtetit, duke shtuar se “po e hapim një faqe të re me synime e qëllime për ta kthyer LDK-në në vendin e saj meritor”.

“Sot po e hapim një faqe të re me synime e qëllime për ta kthyer LDK-në në vendin e saj meritor në skenën politike kosovare. Rruga përpara s’është e lehtë, por ajo duhet të jetë e mbarë dhe e drejtë. Rruga përpara kërkon mobilizimin e mendjeve më të mira që kemi brenda. Rruga përpara kërkon rikthimin e mbështetësve të LDK-së, që më kohë kanë ndarë rrugët me ne. Rruga përpara kërkon hapjen ndaj mendjeve më të mira të vendit, që LDK-në dhe idenë e saj e shohin si bindje origjinale e tyre”, shkruan ai.

“LDK do të jetë forcë kujdestare e Republikës së Kosovës në secilën detyrë që qytetarët e drejtë e të mbarë të këtij vendi e dërgojnë. LDK do të jetë forcë konstruktive, aktive dhe e pashterrshme në përpjekjen tonë të përbashkët për progres. Në fund, të gjithë e kemi këtë shtet”, shtoi kryetari i LDK-së.

Postimi i plotë:

Ju faleminderit.

Ju faleminderit nga zemra për besimin, përgjegjësinë dhe nderin e dhënë.

Sot po marr detyrën më me peshë – dhe njëkohësisht më me nder – në jetën time; udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës; shtëpinë politike të themeltarëve të shtetit tonë. Po e marr këtë detyrë me dije të plotë mbi sfidat e ardhshme, por me bindje të fortë për rrugën që duhet ndjekur përpara.

Sot mbajtëm një proces zgjedhor demokratik. Treguam kulturë të lartë politike e vendosëm një standard të ri në skenën kosovare. Për këtë më meritorët janë delegatët e Kuvendit të LDK-së; anëtarësia jonë – e mbi të gjitha miqtë e mi, kundërkandidatët e sotëm e bashkëpunëtorët e mi të përhershëm: Lutë, Besian, Anton – ishte kënaqësi. Sot, në emër të LDK-së falenderoj edhe ish Kryetarin Mustafa që për 10 vitet e shkuara udhëhoqi me shtëpinë tonë politike.

Top Channel