Pas tre humbjeve në 4 ndeshjet e fundit, Lazio është rikthyer te fitorja dhe e ka bërë këtë në sfidën përballë vendit të fundit të renditjes, Crotones, të cilën e mposhti me rezultatin final 3-2.

Pavarësisht një ndeshjeje në Ligën e kampionëve ndaj Bayernit të Mynihut mesjavën e ardhshme, trajneri Simone Inzaghi nuk kurseu asnjë nga titullarët e tij për sfidën e sotme, duke vlerësuar rëndësinë e këtij takimi në garën për një vend në zonën Champions.

Bardhekaltrit zhbllokuan sfidën në minutën e 14’, teksa pas një krosimi të Radu, ishte Milinkovic-Savic që gjuajti saktë në pozicion të prirët me portën dhe dërgoi topin në rrjetën e kuadratit të Alex Cordaz. Pak çaste më vonë ishte kapiteni Ciro Immobile që pati në këmbë topin e golit të dytë, por gjuajtja e tij u ndal nga Cordaz, ndërsa në minutën e 29’ Crotone gjeti golin e avantazhit me anë të sulmuesit Simy.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e kryeqytetasve, që shënuan golin e dytë pas një kombinimi Immobile-Luis Alberto, me spanjollin që dërgoi topin në rrjetë për herë të dytë për klubin bardhekaltër. Crotone e nisi vrullshëm pjesën e dytë dhe pas një daljeje të shpejtë në sulm, Junior Messias u ndal me faull në zonë, duke fituar një penalti të cilën e ekzekutoi saktësisht Simy, duke rikthyer edhe një herë baraspeshën.

Lazio provoi të reagojë, por hasi në një formë mjaft të mirë të portierit Cordaz, si dhe një mbrojtjeje të ngjeshur të miqve, që i shkuan pranë edhe golit të tretë, por Reina bëri mrekullinë në gjuajtjen e Rispolit. Sfida u vendos në minutën e 84-t, kur një gjuajtje nga distanca e Escalantes u shndërrua në një asist për Filippe Caiccedon, që pasi stopoi topin, gjuajti saktë dhe dërgoi topin për herë të tretë në rrjetë, duke u dhënë 3-pikë bardhekaltërve.

Me këtë fitore Lazio mbetet në vendin e shtatë me 46 pikë, 4 pikë larg Romës që është e fundit e zonës Champions, ndërsa Crotone mbetet në vendin e fundit dhe sheh t’i veniten shpresat për mbijetesë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA