
Megjithë shfaqjen e alarmit të koronavirusit në shkurt të vitit të kaluar, Java e Modës Paris 2020, nuk u prek shumë prej problemeve të izolimit të pandemisë.
Por sivjet ajo është shumë më ndryshe. Siç është bërë normalja e re në të gjithë botën, edhe shfaqjet e modës në Paris ishin virtuale, ku gazetarët, blerësit dhe ekspertët duhet të hiqnin dorë nga udhëtimet e tyre për të parë koleksionet e prezantuara nga shtëpia.
Megjithse programi 10-ditor i videove dhe transmetimeve direkte online, ishte mjaft i ngjeshur, dalloheshin disa momente kur prodhuesit apo organizatorët dukej që po avanconin në epokën dixhitale, me prezantime që binin në sy.
Shtëpia e modës Dior prezantoi koleksionin e saj në një video filmike të frymëzuar nga përrallat, brenda pallatit të Versailles. Louis Vuitton prezantoi stilet e tij bashkë me vizatime të artistit modernist italian Piero Fornasetti në galeritë e Michelangelo e Daru, në muzeumin e Louvre.
Virginie Viard e Chanel, tërhoqi shikuesit online nga thellësia e klubit legjendar të natës në Paris, Castel.
Ndërsa drejtori i krijimtarisë së Balmain, Olivier Rousteing mbajti shfaqjen e veshjeve të tij për burra e gra nën krahët e një avioni të ulur të Air France, në një koleksion me uniforma pilotësh dhe astronautësh, madje dhe palltosh që merrnin frymëzimin nga parashutat.
Top Channel