Historia e “Tik Tok” sërish në programin “Dua të të bëj të lumtur”, çifti rikthehet për të shuar paragjykimet

13/03/2021 21:25

Programi “Dua të të bëj të lumtur” përpara disa javësh trajtoi historinë e Abibes dhe Xhaferrit, çiftit që kishin pasur konflikte të vazhdueshme për shkak të rrjetit social “Tik-Tok”.

Në studio herën e kaluar kishte ardhur Abibja me qëllimin për t’i kërkuar falje bashkëshortit të saj që nuk i kishte kushtuar vemendje atij dhe familjes, por ishte përqëndruar më shumë në aplikacionin “Tik-Tok”. Xhaferri dhe Abibja sipas historisë që treguan ishin njohur nëpërmjet rrjeteve sociale, por ishin pikërisht këto rrjete të cilat po i çonin drejt ndarjes nga njëri-tjetri.

Pavarësisht problemeve dhe mosmarrëveshjeve që kishin, Xhaferri e fali gruan e tij dhe u bashkuan sërish. Menjëherë pas transmetimit të historisë së Abibes dhe Xhaferrit, në rrjetet sociale të programit “Dua të të bëj të lumtur” vërshuan një seri komentesh negative ndaj Abibes, komente të cilat e kishin bërë të ndihet keq atë.

Për të shpjeguar se si qëndronte e vërteta, por edhe për të bërë të lumtur Abiben, Xhaferri kishte kontaktuar me redaksinë e programit “Dua të të bëj të lumtur”. Ai kishte kërkuar që historia e tyre të trajtohej përsëri, por kësaj here, Xhaferri dëshironte që të ftonte gruan e tij.

Xhaferri në studio rrëfeu se pas transmetimit, Abibja kishte filluar të ndihej keq dhe se që prej asaj dite ajo nuk dëshironte që të dilte më prej shtëpisë. Sipas atij fjalët që thonin njerëzit në fshatin ku jetonin ishin tepër të rënda dhe ndikonin shumë tek Abibja. “Në bisedat që janë zhvilluar nëpër lokalet e fshatit ku jetojmë di që është përfolur historia ime, e di tepër mirë që kanë sharë e janë tallur pas krahëve. Madje këto biseda kanë ndikuar në raportin që kishte Abibja me familjen e saj, prandaj dua që ajo të ndihet e lumtur.”,- u shpreh Xhaferri.

Nga ana tjetër e studios, Abibja tregoi se për të ka qenë tepër e vështirë që të përballojë komentet negative, ofendimet dhe talljet që ishin thënë në adresë të saj në rrjetet sociale, por edhe në fshat. Ajo e përlotur rrëfeu se e kishte shumë të vështirë që të vazhdonte jetën normalisht dhe se ishte mbyllur shumë në vetvete. “Abi e di që këto ditë kanë qenë tëpër të vështira për ty, por të kam thirrur këtu që të mos ndikohesh nga paragjykimet. Njerëzit le të flasin, atë punë kanë. Ti nuk ma ke ulur kurrë kokën dhe dije se do je me ty deri në fund të jetës.”,- ishte mesazhi që kishte Xhaferri për Abiben.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel