VV fton në takim LKD/ Mbërrin letra në seli, diskutimi për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës

12/03/2021 01:56

Valë Gjonabalaj Azemi, asistentja e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, ka vizituar selinë qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku sipas mediave vendase ka dërguar një ftesë për takim rreth çështjes së presidentit.

Mediat në Kosovë thonë se lidhur më ketë, foli dhe kreu në largim i partisë, Isa Mustafa i cili u shpreh se për rrugën që do të ndiqet rreth çështjes së presidentit do të vendosin pasi partia të bëhet me struktura të reja. 335 delegatë të LDK-së do të votojnë në 14 mars për zgjedhjen e kryetarit të ri të saj. Deri më tani zyrtarisht janë shpallur katër kandidatura:Lutfi Haziri, Anton Quni, Lumir Abdixhiku e Besian Mustafa.

Zgjedhjet në LDK erdhën si pasojë e dorëheqjes së kryetarit të partisë pas rezultatit tejet të dobët në zgjedhjet e fundit parlamentare. Më herët, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) Ramush Haradinaj kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) rinumërim të plotë të votave të zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe dënimin e keqpërdorueseve të votave.

Ai tha se AAK-ja është e shqetësuar për parregullsi. Kërkojmë nga organet e rëndit, ligjit dhe hetuesisë që kriminelet e votës të të gjitha partive të përfundojnë në burg. Ne nuk kontestojmë rezultatin e zgjedhjeve, nuk e di pse dikush duhet të jetë kundër rinumërimit” tha Haradinaj.

Pas ngritjes së dyshimeve për manipulim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit, Meliza Haradinaj-Stublla të martën, më 9 mars, ka thënë dorëheqje nga drejtimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe nga funksionet në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Top Channel