Ramos: Ronaldo nuk fiton dot i vetëm, dua Messin dhe Haaland te Reali

12/03/2021 20:01

Mbrojtësi veteran spanjoll, Sergio Ramos është rikthyer të flasë për largimin e bujshëm të Cristiano Ronaldos nga Reali i Madridit në verën e 2018-ës dhe e kë barë këtë në një dokumentar dedikuar karrierës së tij, në Amazon Prime Video.

Kapiteni aktual i Los Blancos pranoi se nga largimi i Cristiano Ronaldos kanë humbur si portugezi, ashtu edhe klubi madrilen, por shtoi se me atë që ka bërë në karrierë, portugezi kishte të drejtën e tij të vendoste.

“Ronaldo është një futbollist që bën diferencën, por është e vështirë të garantojë suksesin të Europë, apo të fitojë kompeticionet i vetëm. E vështirë të thuash kush ka humbur më shumë, por mendoj se si Reali, ashtu edhe Ronaldo nuk kanë përfituar nga divorci i 2018-ës”, deklaroi mbrojtësi 34-vjeçar.

Pas tre sezonesh me fanellën e Juventusit, CR7 duket se po merr sërish në konsideratë rikthimin në Madrid, megjithatë Ramos “i ka shkelur syrin” një tjetër ylli të futbollit, argjentinasit Lionel Messi, i cili është në muajt e fundit të kontratës me Barcelonën.

“Do të isha shumë i lumtur po të na bashkohej Messi. Gjatë viteve të fundit kemi pasur kundërshtar versionin më të mirë të Lionel Messit dhe do të isha shumë i kënaqur që tani ta kemi në krahun tonë. Unë te Barcelona? Kjo është diçka që nuk ndodh, pasi shkon përtej parave. Nuk do më shihni kurrë me fanellën e Barcelonës, ashtu siç nuk mund të shihni emra si Xavi e Pique te Reali”, deklaroi Ramos.

Me Ronaldon e Messin në perëndim të karrierës së tyre, skenën e futbollit po e marrin në dorë emra si Erling Haaland e Kylian Mbappe, të dy në listën e objektivave të Realit. Ramos flet me superlativa për të dy, por pranon se do të donte norvegjezin si shok skuadre.

“Natyrisht që janë yje të së tashmes dhe të ardhmes, ndaj do t’i doja të dy shokë skuadre, por duke parë situatën, mendoj se duhet të marrim Haaland. Te ai mund të arrijmë më lehtë, pasi Mbappe luan me PSG-në dhe blerja e tij është më e komplikuar”, u shpreh spanjolli.

Top Channel