Përballë rritjes së varianteve të reja të koronavirusit, si ato të zbuluar në Britaninë e Madhe, Brazil dhe Afrikën e Jugut, një vaksinë universale, efikase kundër të gjithë varianteve të reja, është tani objektiv primar.
Rreth 20 ekipe në të gjithë botën janë në fazat e para të tyre të zhvillimit të vaksinave, që ofrojnë mbrojtje të gjerë kundër një serie koronavirusesh, nga Covid 19 deri tek Sars-i. Para pandemisë, kërkuesit po përpiqeshin të gjenin një vaksinë universale kundër gripit. Testimet e tyre paraprake rezultuan premtuese. Tani po aplikojnë këtë metodë për të përballuar Covid 19. Dallimi me vaksinat është pjesa e virusit që ato marrin në shënjestër. Vaksinat aktuale tentojnë të shkaktojnë një reagim antitrupash duke marrë në shënjestër proteinën spike, që është në sipërfaqe të virusit. Vaksina universale nën zhvillim, në një kompani bioteknologjike në Francë, shënjestron proteinën nukleokapside, që është brenda virusit dhe më pak e predispozuar ndaj mutacioneve.
Delphine Guyon Gellin është menaxherja e projektit Vaksina Universale në Osivax, në Lion. Ajo thotë se në shënjestër po merret një pjesë brenda virusit që nuk është e arritshme nga anti trupat, ndaj edhe trajnon sistemin imunitar që të zhvillojë një lloj tjetër reagimi: një imunitet qelizor. Kompania shpreson të fillojë testet klinike për vaksinat universale brenda një viti. Për momentin, po testohet tek kafshët. Në Francë, Banka Publike e Investimeve i ka akorduar Asivax 15 milionë euro financime dhe një sasi e ngjashme është alokuar edhe nga komisioni evropian.
Ka edhe shumë laboratorë të tjerë që po punojnë për të ashtuquajturën vaksinë universale. Në SHBA, Belgjikë dhe Kanada, një total prej 10 laboratorësh kanë nisur kërkimet. Dhe kjo është gara e re e nisur në botë: gara për një vaksinë universale. Problemi i vetëm është se ka ende shumë paqartësi për efikasitetin e tyre dhe kohën e nevojshme për zhvillimin e tyre, një proces që mund të kërkojë vite të tëra.
Top Channel