Vijon kriza e rezultateve për Borussia Monchengladbach, që humbi me rezultatin 3-1 në transfertën ndaj Augsburgut dhe regjistroi disfatën e katërt radhazi në kampionat, duke mbetur shumë larg zonës europiane të renditjes.
Të katër golat e takimit u shënuan në pjesën e dytë, me Vargas, Richter dhe Hahn që dërguan topin në rrjetë për vendasit dhe M’gladbach që barazoi përkohësisht me Neuhaus, ndërsa në pjesën e parë miqtë humbën edhe një penallti me Stindl.
Në kampionatin spanjoll vëmendja ishte në derbin valencian mes Levantes e Valencias, që u fitua me rezultatin minimal nga të parët. Golin me vlerë 3-pikësh për Levanten e shënoi Roger në pjesën e parë të takimit.
Lyon bën një tjetër hap fals, këtë herë në transfertën ndaj Reims, ku nuk shkoi përtej barazimit 1-1, që mund ta largojë disi nga kreu, nëse Lille bën detyrën në ndeshjen e saj nesër. Vendasit kaluan në avantazh në pjesën e parë me Cafaro, ndërsa Lyon barazoi vetëm në minutat shtesë me anë të Kadewere.
Në kampionatin anglez, Newcastle dhe Aston Villa ndanë nga një pikë falë barazimit 1-1. Të dy golat e ndeshjes u shënuan në minutat e fundit, me Watkins që kaloi Villën në avantazh në minutën e 86’ dhe Lascelles që riktheu baraspeshën në shtesë.
Top Channel