Juventus-Napoli shtyhet sërish. Sfida që nuk u zhvillua në fillim të tetorit, për shkak të bllokimit të udhëtimit të klubit të Napolit drejt Torinos, u vendos që të luhej mesjavën e ardhshme, konkretisht më 17 mars, por është shtyrë sërish.
Vendimin e ka marrë pasditen e sotme Liga e Serisë A, që njofton se me kërkesë të vetë klubeve, është pranuar shtyrja e ndeshjes nga e mërkura e 17 marsit, në atë të 7 prillit, sërish në orën 18:45.
Ndërkohë po pasditen e sotme, Gjykata Sportive ka marrë vendimin edhe për ndeshjen Lazio-Torino, që nuk u zhvillua mesjavën e kaluar, pasi klubi “granata” ishte në karantinim të detyruar dhe nuk udhëtoi drejt kryeqytetit.
Lazio dhe arbitrat zbritën në fushë sipas rregullores, pasi Liga nuk miratoi shtyrjen e ndeshjes, por tani Gjykata Sportive ka vendosur që sfida të luhet në një datë tjetër dhe nuk ka pranuar t’u japë fitoren 3-0 në tavolinë bardhekaltërve.
Ndryshe nga precedenti Juventus-Napoli, ku Gjykata Sportive u dha fitoren 3-0 në tavolinë bardhezinjve dhe u rrëzua më pas në Kolegjin e Garancive Sportive, këtë herë urdhëroi menjëherë Ligën e Serisë A, që të gjejë një datë tjetër për zhvillimin e ndeshjes.
Gjasat janë që edhe sfida mes Lazios e Torinos të luhet të mërkurën e 7 prillit, në të njëjtën ditë me Juventus-Napoli, pasi kryeqytetasit janë me një këmbë jashtë Ligës së Kampionëve dhe pritet të jenë të lirë në atë datë.
Top Channel