Dyshimet për manipulim votash/Arrestime në Kosovë, në pranga kryetari i Kllokotit

12/03/2021 18:10

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të premten se është arrestuar kryetari i komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq, lidhur me dyshimet për kryerje të veprës penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Kosovës Ekrem Lutfiu tha përmes një deklarate se urdhri për arrestimin e tij ka ardhur nga gjyqtari i procedurës paraprake, duke përfshirë edhe kërkesën për kontrollimin e objekteve të Komunës së Kllokotit.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani konfirmoi më herët një aksion policor në Kosovë lidhur me procesin zgjedhor dhe dyshimet për keqpërdorime të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Në mediat lokale në Kosovë, ditë më parë është publikuar një video-incizim, ku pretendohej për falsifikim të votave të kandidatëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Pas ngritjes së dyshimeve për manipulim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit, Meliza Haradinaj-Stublla të martën, më 9 mars, ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe nga funksionet në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Dorëheqja e Haradinaj-Stubllës erdhi një ditë pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka miratuar si të bazuara disa nga apelet e kandidatëve dhe subjekteve politike, që morën pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Një nga apelet kishte të bënte me dyshimet për manipulim të votave me kusht dhe me postë në favor të Haradinaj-Stubllës. PZAP-ja ka urdhëruar rinumërimin e votave me kusht dhe me postë për kandidatët e AAK-së. Ky proces, që është drejt përfundimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, po mbikëqyret nga hetuesit.

Top Channel