Një gjykatë në Kaliforni e dënoi 45 vjecarin Ali F. Elmezayen me 212 vjet burg për vrasjen e dy djemve të tij në mënyrë që të përfitonte nga një skemë sigurimesh shoqërore me vlerë mbi 260 mijë dollarë.
Prillin e vitit 2015, 45 vjecari po lëvizte me shpejtësi me automjetin e tij dhe e hodhi atë në ujë në portin e Los Angelesit bashkë me të shoqen dhe fëmijët brenda. Elmezayen vetë shpëtoi pasi doli nga xhami i hapur i makinës. Ish bashkëshortja e tij, e cila nuk dinte not, do të kishte vdekur nëse nuk do ta ndihmonte një peshkatar që rastësisht u gjend aty pranë.
Dy djemtë e çiftit, Elhassan 13 vjeç dhe Abdelkrim, 8, u mbytën. Të dy djemtë ishin të prekur nga autizmi. Gjykatësi John Walter tha se skema e Elmezayen ishte diabolike.
“E vetmja keqardhje që ai ka është se u kap nga autoritetet”, tha Walter. Përveç burgut, 45 vjecari që kishte blerë polica sigurimi për jetën e familjes së vet në rast aksidentesh rrugore në 8 kompani të ndryshme, tani duhet t`i kthejë $261 mijë dollarë firmave që mashtroi.
Top Channel