Qëndroi në vijën e parë të luftës me COVID-in/ Historia e sopranos shqiptare bën bujë në mediat amerikane

11/03/2021 14:27
Sopranoja Arta Jashari

Media e famshme “The Associated Press” i ka kushtuar një artikull sopranos 32-vjeçare  Arta Jasharit, e cila u vu në vijën e parë të përballjes me pandeminë e COVID-19, duke vënë në rrezik edhe jetën.

Një gjë e mirë: Në Kosovë, virusi lejon humanizmin të shkëlqejë

Ndihma për babanë e saj të moshuar që të luftojë me COVID-19 e mësoi Arta Jasharin se si fuqia e dikujt mund t’u ofrojë shpresë të tjerëve dhe t’i ndryshojë gjërat për mirë.

Sopranoja 32-vjeçare mori përsipër të trajtojë babanë e saj, Baki Bashari, i cili është maestro i Filarmonisë së Kosovës e vuan nga diabeti dhe një sëmundje zemre.

Ai u largua qershorin e vitit të kaluar nga Klinika Pulmonologjike në Kosovë. Nën karantinë, puna ishte e vështirë.  Babai i saj u shërua një muaj më vonë, por ishte dhembshuria e të huajve që e bëri atë të kuptonte se bota është së bashku dhe që mirësia duhet të paguhet.

Jashari, një artiste e famshme që po qëndronte në shtëpi, vendosi të ndihmojë vendin duke veshur mjete mbrojtëse dhe duke u kthyer në Klinikën Pulmonologjike për të ofruar çfarëdo ndihme që të mundte.

“Ju u jepni atyre shpresë kur jeni pranë. Ata e dinë që ju jeni këtu për të ndihmuar”, tha ajo për Associated Press.

Jashari nuk ka asnjë trajnim mjekësor, por ndihmoi mjekët në çfarëdo mënyre që ishte e nevojshme, duke ofruar ndihmë për ata që ishin në klinikë ose në shtëpi.

Për pacientët që rikuperoheshin në shtëpi, ajo shpesh vepronte si ndërlidhëse midis tyre dhe stafit mjekësor të mbingarkuar, madje duke drejtuar edhe infermieret që ishin në praktikë.

Flamur Marku, një pulmonolog në klinikë, tha se të gjithë e kishin të vështirë  ta besonin se “pse dikush po rrezikon shëndetin duke u infektuar”.

“Edhe me rroba mbrojtëse dhe mjete të tjera, është gjithmonë e rrezikshme të jesh me një pacient me COVID-19”, tha Marku. “Ishte një gjë e mrekullueshme nga ajo.”

Jashari kurrë nuk ka marrë leje zyrtare për të ndihmuar në klinikë, por askush nuk e ka penguar.

“Unë kurrë nuk kam menduar nëse do të ishte problem për mua nëse infektohem apo jo sepse mendoj se jeta e njerëzve ka më shumë rëndësi sesa  infektimi im“, tha Jashari.

“Ajo që është më e rëndësishmja është thjesht të jesh atje”, tha ajo, “për pacientët që dëshirojnë prezencën tënde, pasi ata kanë nevojë për aq shumë mbështetje emocionale.”

Jashari u diplomua në universitetin e Prishtinës, Berlin dhe Ljubljanë pasi studioi për kanto dhe punon me Filarmoninë e Kosovës. Nëna e Jasharit është gjithashtu një soprano.

Një koncert në fund të shkurtit ishte ndër të paktët që u mbajt gjatë vitit të kaluar për shkak të pandemisë.

Jashari tha se i mungon intensiteti i një sezoni të plotë të koncerteve, të cilat tani mbahen kryesisht në internet ose me një audiencë shumë të kufizuar.

Por koha e saj në klinikë, e kombinuar me përkthimin e operave botërore në shqip, e kanë mbajtur atë të zënë. Ajo thotë se ‘derdhja’ e dashurisë në çdo shfaqje është e ngjashme me ndihmën në klinikë.

“Ju jepni kaq shumë dashuri dhe kaq shumë shpresë dhe kaq shumë emocione … dhe këtu (në klinikë) është e njëjta gjë.”

Kosova ka pasur 1,674 vdekje të konfirmuara nga virusi dhe mbi 73,600 raste, sipas të dhënave të qeverisë të regjistruara nga Universiteti Johns Hopkins. Në përpjekje për të kufizuar infeksionet e reja, qeveria ka ndaluar tubimet publike me mbi 50 persona.

Ajo ka shmangur vëmendjen e të gjithëve, duke thënë se nuk e ka bërë këtë për publicitet.

“Unë mendoj se e gjithë bota tani po kalon të njëjtën situatë dhe pandemia është duke rivendosur njerëzimin në botë”, tha ajo.

Nga Florent Bajrami and Llazar Semini | AP

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA