Ishte cilësuar si një finale e parakohshme për vetë emrat e dy skuadrave, por Manchester United-Milan nuk rezultoi e tillë në 90-minutëshin e parë të zhvilluar në “Old Trafford”, që u mbyll me rezultatin e barabartë 1-1. Shumë mungesa nga të dy kampet, patën ndikimin e vet në fushë, teksa ndeshja ishte e luftuar, por nuk u ngjit asnjëherë në nivelin e pritshmërive dhe në fund çështja e kualifikimit u la e hapur për në sfidën e javës së ardhshme në “San Siro”.
Pjesa e parë u zhvillua nën një dominim të lehtë të vendasve, që kontrolluan topin në 60% të kohës, megjithatë rastet më të mira i krijoi Milani, që dërgoi edhe topin në rrjetë, por goli u anulua nga VAR për një marrje me dorë nga ana e Franck Kessie.
Pas pushimit, Solskjaer la në dhomat e zhveshjes Anthony Martial dhe hodhi në fushë 18-vjeçarin Diallo, që i shpëtoi mbulimit të Tomorit dhe mposhti Donnarummën me një parabolë të saktë me kokë. Milani provoi të rikthejë baraspeshën dhe krijoi disa aksione të rrezikshme, por pa arritur të kërcënojë kuadratin e portës së “djajve të kuq”. Megjithatë kur dukej se gjithçka po shkonte drejt fitores së Manchesterit, ishte mbrojtësi danez Simon Kjaer që shënoi golin e barazimit.
Me rezultatin 1-1, kuqezinjtë janë më të avantazhuar për t’u kualifikuar në fazën çerekfinale të Europa League, megjithatë gjithçka është e hapur dhe do të vendoset të enjten e ardhshme në “San Siro”. Prek çerekfinalet Ajaxi, që mposhti zviceranët e Young Boys me shifrat 3-0 që në ndeshjen e parë. Klassen, Tadiç dhe Brobbey shënuan për skuadrën nga Amsterdami në pjesën e dytë dhe tani ndeshja e kthimit pritet të jetë një formalitet për “harkëtarët”.
Rezultat mjaft pozitiv mori edhe Villareali, që triumfoi me shifrat 0-2 në transfertën ukrainase ndaj Dynamo Kiev. Torres në pjesën e parë dhe Raul Albio në minutën e 52-të shënuan për “nëndetësen” e verdhë spanjolle, që gjithashtu ka prekur çerekfinalet. Sfida tjetër e zhvilluar ishte ajo mes Slavia Prague dhe Rangers, që gjithashtu u mbyll në barazimin 1-1. Vendasit shënuan me Stanciu, ndërsa skocezët barazuan me Helander, duke shtyrë çështjen e kualifikimit për në javën e ardhshme.
Top Channel