Grabitje me armë në Prishtinë, policia arreston 19 vjeçarin, detajet

11/03/2021 19:35

Policia e Kosovës ka arrestuar personin i cili dyshohet të ketë kryer grabitjen në Prishtinë, në një institucion mikrofinanciar.

Rreth orës 17:40 është raportuar për një grabitje të armatosur të ndodhur në një institucion mikrofinanciar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit“ në Prishtinë.

Menjëherë pas informatës të gjitha njësitë policore të rajonit të Prishtinës janë aktivizuar me shpejtësi dhe kanë nisur punën e tyre në drejtim të identifikimit të të dyshuarit, marrjes e përpunimit të informacioneve si dhe kanë realizuar një operacion të rrufeshëm për kapjen e të dyshuarit.

Ndërmarrja e këtij operacioni të shpejtë si dhe veprimet operativo- hetimore tejet të sofistikuara kanë rezultuar me kapjen dhe arrestimin e personit të dyshuar në ikje e sipër vetëm pak minuta pas ngjarjes.

Arrestimi i të dyshuarit; F. R, mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,

i cili dyshohet me bazë të jetë i implikuar në rastin e grabitjes në fjalë, u krye në lagjen Dardania të Prishtinës përderisa i njëjti po përpiqej t’i shmangej ndjekjes së policisë.

Ndërkohë që policia ka arrestuar të dyshuarin, pas kontrollit të ushtruar ka arritur të gjej dhe sekuestroj; një revole të llojit dhe tipit të veçantë, si dhe një sasi të konsiderueshme parash, të cilat dyshohet të jenë paratë e grabitura.

Aktualisht po vijon puna hetimore me qëllim ndriçimin e të gjitha rrethanave të rastit si dhe ndërlidhjen eventuale të këtij të dyshuari me raste të tjera kriminale.

Top Channel