Për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike nga koronavirusi i ri (COVID-19), në mbarë territorin e Maqedonisë së Veriut prej sonte përsëri është vendosur orë policore me qëllim për të frenuar përhapjen e virusit. Si pasojë e orës policore, rrugët e kryeqytetit Shkup janë të zbrazëta, por edhe rrugët e qyteteve të tjera në të gjithë Maqedoninë e Veriut.

Me rekomandim të Komisionit për Sëmundje Infektive, në seancën e djeshme të qeverisë u vendos zbatimi i orës policore në periudhën kohore 22:00-05:00 për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Kjo masë do të zgjasë nga sonte deri më 22 mars me mundësi për t’u zgjatur në varësi të situatës epidemiologjike.

Në ditët e mëparshme, ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, shpjegoi se propozimi i Komisionit për Sëmundje Infektive për të imponuar orën policore vjen për shkak se në javët e fundit infeksioni është përhapur nga transmetimi i virusit përmes tubimeve, por gjithashtu edhe nga mosrespektimi i masave mbrojtëse, si mbajtja e distancës nëpër vende publike.

Analizat e Komisionit për Sëmundje Infektive përcaktuan se për shkak të mosrespektimit të masave mbrojtëse do të ketë raste të reja të të infektuarve, por edhe rritje e numrit të të shtruarve në spital, prandaj dhe sipas autoriteteve, një masë e tillë si ora policore do të ketë efekt. Sipas raporteve të fundit të institucioneve shëndetësore, që nga shpërthimi i pandemisë në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 109.262 raste të koronavirusit dhe 3.244 vdekje.

Ora policore për herë të parë në Maqedoninë e Veriut u vendos në mars të vitit të kaluar, në periudha të ndryshme kohore, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe më 27 maj si pjesë e masave lehtësuese u vendos për shfuqizimin e kësaj mase.

Top Channel